Namazi me xhemat dhe urtësitë e tij

Muhamed Ef. Egriu

S’ka dyshim se takimi i myslimanëve në xhami pesë herë në ditë, për të falur namazin me xhemat, ka fryte të këndshme dhe dobi të mëdha. Falja e namazit me xhemat mundëson njohjen e njerëzve mes veti, shton dashurinë dhe ndihmën reciproke, lidh zemrat e besimtarëve, forcon në ndihmën e të fuqishmit ndaj të dobëtit, vizitat e të shëndoshit ndaj të sëmurit, mëshirën e të pasurit ndaj të varfërit, saqë i moshuari qëndron afër të riut, udhëheqësi me të udhëhequrin, tregtari me punëtorit, komandanti me ushtarit, urdhëruesi me të urdhëruarin, etj.

Në faljen e namazit me xhemat nuk ekzistojnë disa njerëz mbi disa të tjera, porse të gjitha ata i janë nënshtruar vetëm Allahut xh. sh., duke qenë të vetëdijshëm se të gjithë janë të njëjtë para Tij. Askush nuk vlerësohet më shumë se tjetri përveç me çiltëri. Në këtë mënyrë realizohet dhe vërtetohet barabarësia mes njerëzve në formën dhe kuptimin më të plotë, në afrimin dhe fuqizimin e njohjes të Allahut xh. sh.

Namazi me xhemat na mëson të respektojmë rendit, ligjit dhe rregullin, na bën me principe dhe na shton dozën e përgjegjësisë individuale dhe kolektive.

Myslimanët gjatë faljes së namazit, lidhen pas imamit të tyre dhe madhërojnë Allahun xh. sh. Kur imami merr tekbirin fillestar, marrin edhe ata, kur ai bie në ruku, të njëjtën bëjnë edhe ata, e kështu me radhë, thjeshtë thënë, ata kujdesen që të mos shpejtojnë para imamit as në fjalë e as në vepër.

Vlerat e namazit me xhemat pa dyshim se janë të shumta. Për të na ka mësuar edukatori ynë, Muhamedi a.s. pa ja ndalë. Në vazhdë, do theksojmë hadithin e Muhamedit a.s. ku ka thënë: “Namazi me xhemat është më i vlefshëm se sa namazi që falet vetëm për njëzet e shtatë gradë (derexhe). S’ka dyshim se falja e namazit me xhemat është më i begatshëm dhe më i bereqetshëm për besimtarët”. Muhamedi a.s. gjithmonë na ka përgëzuar për namazin me xhemat në xhami, Ai a.s. në një rast ka thënë: “Përgëzoi ata që ecin natën ( në errësirë) për në xhami, me dritë të plotë në ditën e Gjykimit (Kiametit)”.

Duke qenë të sigurtë se namazi është bisedë direke dhe e pa ndërmjetme me Allahun xh.sh., i përgjërohemi Atij me këtë lutje:

O krijuesi i jonë! Na e mundëso të jemi të kujdesshëm në faljen e pesë kohëve të namazeve me xhemat dhe të kemi nënshtrimi të plotë tek Ty me namaz dhe vepra të mira. Amin!

Dibër, 06.04.2021