Komentimi i sures Asr (3)

Shkruan: Mr.c. Jeton ef. Muça

(Përshtatur nga ligjëratat e Nouman Ali Khan)

Lind pyetja: Si mund të shpëtojmë veten tonë? Gjëja e parë, është nëse shikojmë në veten tonë dhe gjërat që na rrethojnë nga pikëpamja e besimit dhe duke u kujdesur në gjënë më e mirë për imanin tonë. Çfarë është ajo që ne duhet ta ruajmë? Pra, sesi ne duhet që të ruajmë diçka shumë më tepër se gjendjen tonë financiare, që të ruajmë diçka shumë më tepër se shëndetin tonë dhe gjendjen tonë emocionale; të gjithë këto janë të rëndësishme, por në krye të gjithë këtyre duhet që të kujdesemi nëse e ruajmë apo e shkatërrojmë imanin tonë. Pra, imani është ajo që duhet ta mbrojmë me tepër se çdo gjë tjetër. Nëse kjo mbrohet, atëherë çdo gjë tjetër do të jetë në rregull dhe nëse kjo nuk është e sigurtë, atëherë asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Mund të keni situata në jetën tuaj ku çdo gjë duket se është në rregull, por në brendësi të zemrës suaj mungon imani, pra nuk mund ta ndjeni më atë. Ju nuk i shihni gjërat më në atë mënyrë, që do të thotë që në të vërtetë asgjë nuk është në rregull. Gjithçka është një fasadë dhe false, andaj do të shkatërrohet herët apo vonë, sepse ne jetojmë në pretendime dhe kur do të goditemi nga realiteti, atëherë do ta kuptojmë atë që ka ndodhur.

Me të vërtetë, kjo është një humbje e madhe për njerëzit, sepse ata nuk mund ta shohin të vërtetën të atillë siç është. Pra, nëse ne nuk e shohim realitetin, kjo është një humbje e vërtetë.

Në kohën e fitneve dhe sprovave që jemi duke kaluar, është e lehtë t’i shikoni gjërat ashtu siç i shikojnë të gjithë të tjerët, dhe në të vërtetë kjo do të jetë humbja jonë. Ne duhet që të shohim çdo sprovë nëpërmjet thjerrëzave të imanit. Imani përfshin shumë gjëra, por e para është të besuarit në Allahun. Por, nuk ka të bëjë vetëm me të besuarit, sepse Allahu ka shumë emra, andaj çdo emër i Tij duhet që të ketë ndikim tek ne. Nëse emri i Allahut është Er-Rezak, pra që Ai është Furnizues, andaj pavarësisht sesa keq mund të duken gjërat, ne nuk duhet kurrë që të harrojmë që Allahu është Furnizuesi. Nëse Allahu është El-Velij, pra që Ai është Mbrojtës, atëherë pavarësisht sesa të tjerët ndjehen të pa sigurtë, ne nuk do ta humbim ndjenjën e sigurisë, sepse ne e dimë që Allahu është aty dhe që Ai është Mbrojtësi themelor.

Çdonjëri nga emrat e Allahut, ndryshon mënyrën sesi ne reagojmë. Përderisa çdokush tjetër mund të jetë në një gjendje histerie, ne mund të qëndrojmë të qetë, sepse ne kemi imanin. Përderisa e kemi këtë, mënyra sesi veprojmë ndryshon dhe ky është hapi i radhës. Mënyra sesi ju veproni është e ndryshme nga të gjithë të tjerët, sepse ju i shikoni gjërat ndryshe nga të gjithë të tjerët. Nëse shikoni një zjarr dhe jeni afër tij, atëherë ju do të veproni dhe do të bëni disa hapa prapa, sepse ju nuk dëshironi që të digjeni. Pra, duke e kuptuar që ajo është diçka reale, ju do të kujdeseni që të mos digjeni. Por, nëse ju mendoni që ai nuk është zjarr dhe mendoni që është diçka tjetër, si për shembull, ndonjë ushqim i shijshëm apo diçka tjetër, por në realitet është zjarr dhe ju ndërmerrni hapin e gabuar, atëherë është vonë dhe ju kështu digjeni.

Pra, pikëpamja e juaj për realitetin, do të përcaktojë të gjitha llojet e veprimeve me të cilat ju do të ndjeheni rahat dhe ato me të cilat nuk do të jeni të kënaqur. Kjo do të ndryshojë këtë pikëpamje. Andaj, ajeti i tretë i kësaj sure vazhdon “ata bëjnë vepra të mira, bëjnë vepra të duhura” (Sureja Asr: 3).

Lind pyetja, si e formuam ndjeshmërinë për të bërë veprat e duhura? Si mund të përcaktojnë atë që është gjë e drejtë dhe atë që është gjë e gabuar? Pyetni 10 njerëz, cila është gjëja e drejtë për të bërë, ju do të merrni 10 përgjigje të ndryshme. Të gjithë kanë pikëpamjen e tyre për gjënë e drejtë dhe të gabuarën, sa i takon moralit. Nëse ne kemi iman, atëherë definimi i jonë për atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar, përcaktohet nga Allahu, sepse është Ai i cili do të na udhëzojë për të mirën dhe për të keqen. Allahu do t’ju tregojë çfarë është e mirë për ju dhe çfarë nuk është e mirë për ju. Por, në jetë duhet që të bëjmë edhe zgjedhjet tona personale. Pra, për diçka të mirë apo të keqe. Por ato s’kanë të bëjnë me të drejtën dhe të gabuarën, por kanë të bëjnë me ato që ju mendoni që duhet ti bëni. Unë, në fakt, po flas për zgjedhjet morale, ato zgjedhje që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe paanësinë, pra ata janë zgjedhje që përcaktohen nga imani.

Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira (Sureja Asr: 3), edhe këto fjalë do të ishin të mjaftueshme, por Allahu nuk ndalet me aq. Fjalët që vijojnë, janë pjesa më e fuqishme e kësaj sureje. Ju mund të thoni: “Nëse dëshironi që të jeni një njeri i mirë dhe të shkoni në Xhenet, e gjitha çfarë duhet të bëni është të keni iman dhe të bëni vepra të mira”, pra mund të thoni që është e mjaftueshme. Por, kjo nuk është kështu sipas kësaj sureje, sepse këtu thuhet që të gjithë do të jenë të humbur, me përjashtim të atyre që bëjnë katër gjëra dhe jo vetëm dy. Dy gjërat e para janë: që kanë iman dhe bëjnë mirë; Por Allahu vazhdon edhe me dy të tjera: “që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm” (Sureja Asr: 3).

Do të marrim një shembull të thjeshtë për ta sqaruar. Nëse mësuesi i juaj u thotë “bëni këto katër detyra dhe do të kaloni klasën”! Ju i bëni dy detyrat e para shumë mirë, por dy të tjerat as nuk i merrni në konsideratë. Kur vjen dita e raportimit, ju vini me këto dy detyra dhe mësuesi do t’ju pyesë: “Po në lidhje me dy detyrat e tjera”? Ju mund të përgjigjeni që dy të parat i keni bërë mrekullueshëm dhe shumë mirë. Kështu që, ju mund të merrni dy nota të mira për dy detyrat e para, dhe do të merrni dy nota të këqija për dy detyrat që nuk i keni realizuar, kështu që rezultati përsëri do të jetë negativ, sepse nuk i keni përmbushur të gjitha detyrat. Pra, kjo sure thotë që nëse nuk i përmbushni këto katër detyra, atëherë do të dështoni.

Dibër, 07.04.2021