Komentimi i sures Asr (pjesa e fundit)

Shkruan: Mr.c. Jeton ef. Muça

(Përshtatur mbi ligjëratat e Nouman Ali Khan)

Nëse kushti i parë ishte që t’i shikoni gjërat me syrin e imanit, e dyta është drejtimi ynë i veprimit, pra ato që bëjmë, përcaktohen nga ai iman që e kemi. Tani lind pyetja: Veprimet tona e ruajnë imanin tonë apo e shkatërrojnë imanin tonë? Pra, “ve amilu saliha” dhe “suleha” nënkupton “për të rregulluar diçka” dhe gjëja e parë që rregullojmë është gjendja e zemrave tona. Namazi është “amil salih” , pra është një gjë e mirë; dhe nuk është vetëm se “amil hajr”, por është “salih”, që do të thotë që: “unë fal namazin dhe ajo e rregullon paksa imanin tim; Unë jap zekatin dhe ajo e rregullon lakminë time, pra e rregullon paksa imanin”. Pra, çdo vepër e mirë, në të vërtetë e rregullon gjendjen e zemrave tona dhe sjell përfitim për ne.

Por, kushti i tretëështë: “ata këshillojnë njëri-tjetrin”, “tevaa-sau” nënkupton edhe “ata detyrojnë njëri-tjetrin, inkurajojnë njëri-tjetrin, nxisin njëri-tjetrin fuqishëm, për të qenë të vërtetë dhe ndaj të vërtetës”. Me fjalë të tjera, kur ata këshillojë njëri-tjetrin, e thonë atë që është e vërtetë dhe ata janë të vërtetë në atë që e thonë. Ata nuk ia thonë njëri-tjetrit atë që ata duan ta dëgjojnë, sepse atyre nuk i intereson, andaj ndonjëherë duhet ti thuhet dikujt diçka edhe sikur të lëndon ndjenjat e tij. Pra, do të thoni diçka, por që të jetë e vërtetë. Kështu që, ata duhet që të dëgjojnë edhe pse ndoshta do t’ua lëndojë ndjenjat. Andaj, ju duhet të vendosni nëse dëshironi që dikujt t’ia lëndoni ndjenjat apo do të përmbaheni që të mos ja thoni dikujt të vërtetën.

Mënyra për ta thënë të vërtetën, duhet që të jetë me dashuri, sepse edhe kjo gjendet brenda fjalës “vasijah”. Pra, nuk do t’ia thoni dikujt në mënyrë të ashpër: “Selamu Alejkum vëlla! Kjo që bën është haram dhe ti do të shkosh në Zjarr, andaj puna ime ishte të thërras në të vërtetën”. Kjo nuk është “teuasi bil hak”, sepse ajo në të vërtetë nënkupton që duhet t’ia thuash në një mënyrë të dashur këshillimi, por duke qëndruar në të vërtetën. Pra, ju nuk mund ta përkulni të vërtetën, sepse ndjeheni keq për dikë apo ndjeheni keq për veten tuaj. Ne nuk duhet që të ofendohemi, kur dikush na e thotë të vërtetën, qoftë kjo edhe për veten tonë. Ndonjëherë ne jemi ata që kemi bërë rrëmujën, andaj dikush tjetër mundohet të na e tregojë të vërtetën. Në këtë moment, është koha e duhur që të reflektojmë dhe ti themi dikujt: “Ke të drejtë. Këto gjëra i kam bërë me të vërtetë, andaj duhet t’i pranoj. Të faleminderit që ma thoni të vërtetën”! Sepse, nëse ne nuk e pranojmë këtë, atëherë ne nuk bëjmë “amilu saliha”, pra ne nuk e rregullojmë gabimin. Nëse ne nuk e rregullojmë gabimin, atëherë ne nuk mund ta ndihmojmë imanin tonë, andaj gjithçka shkon mbrapsht.

Pra, shkon si një spirale tek gjëja e parë, që është ruajtja e imanit. Nëse ne nuk e ruajmë besimin tonë, atëherë çdo gjë tjetër është humbur. Andaj, duhet këshilluar njëri-tjetrin në gjënë e vërtetë dhe fillimisht të paktën në mesin e shokëve. Nëse shokët e juaj bëjnë diçka të keqe dhe ju nxisin edhe ju në atë, ju nuk duhet të jeni ato që të thoni: “Në rregull, le ta bëjmë këtë”! Por, ju duhet të jeni ato që duhet të thoni: “Jo, nuk do ta bëjmë këtë”! Por, nuk do të ndaleni me kaq, por do të mundoheni që edhe tjetrin ta ndaloni të mos bëjë një gjë të gabuar. Edhe pse ata mund t’ju thonë: “Le të argëtohemi ndonjëherë, andaj qetësohu dhe merre këtë punë me të lehtë. Pse je kaq islamik gjatë gjithë kohës”? Kjo ndoshta mund t’ju bëjë që të hiqni dorë nga këshillimi për të vërtetën, por ju duhet përsëri që me përkushtim dhe dashuri, ta thoni atë që është e vërtetë, pavarësisht a u pëlqen apo jo. Sepse, ajo që është e vërtetë është e vërtetë, ajo që është e gabuar është e gabuar.

“Tevaa sau bil hak”, nuk është e lehtë për tu bërë, sepse duke bërë gjënë e duhur, ndonjëherë mund të jetë shumë e dhimbshme. Ju e dini që duhet të bëni disa gjëra për të mbrojtur imanin tuaj dhe në zemrën tuaj e dini atë që është e vërtetë dhe e drejtë, por ju duhet të kaloni disa hapa shumë të dhimbshme. Ju duhet të sakrifikoni diçka të cilën ju e dëshironit apo duhet të sakrifikoni diçka që dikush tjetër e dëshironte, sepse dikush do të lëndohet kur të bëni gjënë e duhur. Kur ndërmerrni ndonjë hap që të gabuarën ta ktheni në të drejtë, dikush do të ofendohet, dikush do të lëndohet, dikush do të fyhet, përfshirë edhe veten tonë, sepse është pjesë e asaj që duhet bërë.

Kur ndryshoni diçka në drejtimin e drejtë, atëherë shfaqet një dhimbje të cilën ju mendoni që nuk mund ta menaxhoni, andaj mendoni që duhet të tërhiqeni dhe të ktheheni tek gjendja e juaj e rahatisë. Andaj, e vetmja mënyrë për të shpëtuar njëri-tjetrin, është të kujtojmë njëri-tjetrin për të qëndruar të fortë, duke shtyrë veten vazhdimisht dhe duke vazhduar përpara.

Allahu e përmbyll këtë ajet duke thënë: “këshillojnë njëri-tjetrin me këmbëngulje (durim)” (Sureja Asr: 3), pra vazhdojmë të këmbëngulim, sepse nëse nuk e bëjmë këtë për njëri-tjetrin, atëherë të gjithë jemi në humbje. Këto katër kushte janë një botëkuptim i vërtetë, sepse në këtë mënyrë një besimtar jeton jetën e tij. Nëse nuk keni audiencë të madhe për të bërë “punë të mira”, duhet që të nisni me “teva sau bil hak”, brenda familjes tuaj. Mund ta bëni atë në shoqërinë tuaj, madje mund që të nisni edhe me veten, sepse ndoshta nuk jeni i vërtetë me veten tuaj. Ndoshta nuk jemi të sinqertë dhe të vërtetë me veten tonë, andaj fillimisht të fillojmë duke këshilluar veten që të jemi të fuqishëm mjaftueshëm, edhe sikur mos të ketë askush tjetër përreth, sepse nëse nuk e bëni këtë, atëherë përfundimisht do të jeni në një gjendje humbjeje. Edhe sikur të keni rezervuar të gjitha sendet ushqimore dhe jeni kujdesur për gjithçka, ju akoma jeni në gjendje humbjeje. Allahu xh.sh. na ruajte të gjithë ne, fëmijët tanë, pleqtë tanë dhe të sëmurët tanë. Allahu u dhëntë shërim atyre që vuajnë nga ndonjë sëmundje dhe Allahu na e lehtësoftë situatën për çfarëdo lloj sprove që jemi duke kaluar. Mes të gjithë këtyre sprovave, Allahu na bëftë nga ata që ruajnë imanin e tyre.

Dibër, 12.04.2021