Nasuf ef. Strikçani
Historia na tregon se në vitin 1887 klasa punëtore është ngritur në revolucion dhe rebelim duke i kërkuar të drejtat e veta dhe kështu ka rrjedhë edhe dita e punëtorit. Gjithashtu në Australi punëtorët në vitin 1856 vendosën bashkërisht të organizojnë ndalesë totale të punës që të fitojnë të drejtën e punës në tetë orë.
Puna është nder, dinjitet dhe reputacion. Allahu i Lartëmadhëruar na nxit për punë dhe kërkim të furnizimit ku në ajetin 15 të kaptinës së Kur’anit thotë: “Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesët e saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja”. Nga këto ajete qartë shihet rëndësia e punës të cilën Islami i kushton shumë rëndësi. Sipas mësimeve islame, besimtarit nuk i lejohet të jetë i varur nga tjerët dhe të jetë barë e komunitetit. E kundërta, Islami insiston që besimtari të jetë aktiv ndaj urdhrave të Allahut xh.sh, por edhe të jep kontribut për zhvillimin e vetes dhe shoqërisë. Duke punuar dhe duke e dhënë mundin e tij, njeriu do të ketë shumë arritje dhe rezultate me të cilat do të ushqejë veten dhe familjen në atë mënyrë që do jetojë me nder në këtë botë dhe në tjetrën.
Allahu i Lartëmadhëruar ka caktuar që njerëzit të jenë të dalluar përmes aftësive të veta, kështu edhe ekzistojnë profesione të ndryshme, edhe përgjegjësitë të jenë të definuar me qëllim që të ndihmohen njëri me tjetrin dhe kështu bota të ndërtohet. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë. Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët qe të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime. E mëshira e Zotit tënd është shumë më e dobishme se ajo që ato grumbullojnë (Sureja Zuhruf: 32).
Islami i ka rregulluar sjelljet e njerëzve në shoqëri. Një prej atyre rregullave është edhe sjellja e punëdhënësit me punëtorin. Këto rregulla janë të vendosura me qëllim që të përhapet drejtësia shoqërore, të arrihet jetë e shëndoshë ndaj të dyve dhe ndaj familjeve të tyre. Punëdhënësi është i obliguar ti plotësojë obligimet e veta ndaj punëtorit të cilat janë të rregulluara përmes marrëveshjes dhe e ka të ndaluar që të shkurtojë diçka nga ajo që është e obliguar. Allahu i Gjithëfuqishëm thotë: “E mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre (Sureja A’raf: 85). Pra nuk duhet të ekzistojë shkëputja e të drejtës te tjetri. Për këtë e kemi shembull më të mirë të dërguarin e Zotit, i cili ishte luftëtari më i madh i të drejtave njerëzore dhe punëtorin në veçanti. Edhe ai i cili i kalon kufijtë në pronësimin e të drejtës të huaj, gjegjësisht shfrytëzimin e fuqive të tjetrit për qëllime personale pa paguar të drejtën e punëtorit, e këtë Allahu e ka llogaritur si armik në ditën e gjykimit. Kjo shihet në hadithin Kudsij ku Allahu xh.sh. thotë: “Për tre persona në Ditën e Gjykimit Jam armik, dhe atë: për atë i cili ka premtuar diçka ne emrin Tim dhe nuk e ka zbatuar, personi i cili do të shesë njeriun e lirë si rob dhe personi i cili do të marrë punëtor që të bëje punën e vetë dhe ai nuk do t’ia paguaj hakun (Buhari)”. Gjithashtu Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush do të përvetësojë hakun e myslimanit me betimet e veta, ai e ka obliguar Allahun që ta fusë në Xhehenem dhe t’ia ndalojë Xhenetin (Transmeton Muslimi).
Vendosja e çmimit të pagesës mes punëdhënësit dhe punëtorit i ndalon mosmarrëveshjet dhe konfliktet e mundshme, po ashtu i largon manipulimet që mund të vijnë nga të dy palët. Muhamedi a.s. urdhëron që të dy palët të jenë tolerant, të dashur dhe të ëmbël ndaj punëtorit, me atë që mos e ngarkojë punëtorin përtej mundësisë fizike. Për këtë Muhamedi a.s. thotë: “Dhe mos e urdhëroni me punë përtej asaj që ka mundësi të bëjë (Transmeton Muslimi). Gjithashtu Muhamedi a.s. inkurajon me nxitim të pagesës ndaj hakut të punëtorit duke thënë: Paguajani hakun e punëtorit para se ti teret atij djersa e ballit (Transmeton Ibn Maxheja).
Puna është amanet, përgjegjësi e besuar, për këtë punëtori duhet të jetë i ndershëm në punë, ta bëjë punën në mënyrën më të mirë, të mundohet të japë kontributin e tij që puna të jetë sa me kualitative dhe të ruajë pasurinë e punëdhënësit. E kjo shihet ne fjalën e Muhamedit a.s ku thotë: “Me të vërtetë Allahu kërkon që kur dikush të punojë një punë ta bëje në mënyrën më të mirë (profesionale) (Transmeton Buhariu).
Të nderuar vëllezër! Me këto obligime ndaj njëri-tjetrit dhe me mësimet fetare, do të kemi përparim dhe zhvillim, sukses në punë, qëndrueshmëri dhe kualitet. Padrejtësia ndaj punëtorit ka ardhur deri në atë masë saqë puna dhe e drejta e tyre mund të krahasohet me punën dhe fatin e punëtorëve të periudhës feudale.
Në fund, për atë se sa e vlefshme është të jemi punëtor dhe të mos jemi barrë e tjetër kujt, do të sjell një shembull nga jeta e Ibrahim Ibn Ed’hem. Një herë një njeri i devotshëm me emrin Sherik El Behi u nis në udhëtim për tregti dhe fitim. Para se të nisej u përshëndet me mikun e tij Ibrahim Ibn Ed’hem dhe i tha se nuk do të shihen për gjatë kohë. Megjithatë nuk kaloi shumë kohë dhe ai u kthye. Kur e pa Ibrahimi atë njeri në xhami i habitur e pyeti: Pse u ktheve kështu shpejtë? Sherik el Behi iu përgjigj: Rrugës duke udhëtuar pashë diçka të çuditshme dhe u ktheva. Ibrahimi ja kthehu: Ma shpjego se çfarë pe?! Dhe njeriu i devotshëm tha: Duke udhëtuar u lodha dhe vendosa të pushojë në një tokë jo prodhuese dhe të thatë. Duke pushuar vërejta një shpend të verbër dhe të lodhur dhe thashë me vete: Si jeton ky shpend i cili nuk sheh dhe nuk mund të lëvizë në këtë tokë të braktisur!? Nuk kaloi shumë kohë dhe erdhi një shpend tjetër i cili i solli atij ushqim. Kjo u përsërit disa herë brenda ditës dhe thashë me vete: Ai i cili kujdeset për këtë shpend të pa aftë edhe mua do të me furnizojë. Dhe kështu vendosa të kthehem në shtëpi. Atëherë Ibrahim Ibn Ed’hem i tha : A ke pranuar të jesh shpendi i pa aftë në tokën e braktisur që jeton me ndihmën e tjetrit?! A nuk dëshiron të jesh si shpendi tjetër i cili kujdeset për vete dhe që u ndihmon të verbërve dhe të paaftëve?! A nuk e din që dora e lartë është më e mirë se dora e shtrirë! Dora që jep është më e mirë se dora që merr! Kur i dëgjoi këto fjalë njeriu i devotshëm i tha Ibrahim Ed’hemit: Me të vërtetë ti je mësuesi i jonë – dhe kështu u kthye përsëri në tregti dhe punë.
Dibër, 19.09.2021