Vlera e ditës së xhuma (premte)

Bujar ef. Dovolani

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin mbi Allahun xh.sh. Zotin e botëve, Mëshiruesin, Mëshirëplotin. Atij i cili në Kur’anin Famëlartë jep urdhër të prerë që duhet zbatuar:
“O ju që besuat kur bëhet thirrja për namaz ditën e xhuma, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben dhe falni namazin) e leni shitblerjen. Kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini. E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë (kthehuni në punën e mëparshme ) dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim” (Sureja Xhuma: 10).

Salavatet i takojnë Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s. i cili ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë Allahu e ka krijuar Ademin a.s., në këtë ditë e futi në Xhenet, po në këtë ditë e nxori atë nga Xheneti. Madje edhe Kiameti do të ndodh në ditën e Xhuma”. “Dita e xhuma është më e vlefshmja; është dita më e madhe te Allahu; Më e madhe se dita e Kurban Bajramit dhe dita e Fitër Bajramit”. Transmetohet nga Eus Ibn Eusi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme dhe shpejton sa më herët që është e mundshme, e shkon në këmbë e jo duke kalëruar, pastaj falet afër imamit dhe e përcjell hutben me vëmendje, pa kurrfarë lëvizje të pa lejueshme (me gjymtyrë ose me gojë), do të ketë shpërblim sikur të jetë falur tërë vitin”.
Gjithashtu nga vlera e ditës së xhuma është se Allahu i Madhëruar, robit të Vet ia fal mëkatet që i ka bërë ndërmjet dy xhumave. Nga hadithet e lartpërmendura mund të përfundohet se shpërblimi i namazit të xhumasë është shumë i madh. Kush e fal xhumanë ka këto shpërblime:

  1. Për çdo hap që bën besimtari deri në xhami, ai ka shpërblim sikur të jetë falur dhe të ketë agjëruar tërë vitin.
  2. Ai që shkon më herët në xhami për namazin e xhumasë ka shpërblim sikur të kishte therur kurban, madhësia e të cilit varet nga shkuarja sa më herët në xhami.
  3. I falen mëkatet ndërmjet dy xhumave.
  4. Engjëjt ua shënojnë falësve shpërblimet për shkak të kryerjes së namazit te xhumasë.
    Allahu xh sh thotë: Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër përveç që të më adhuroni (Sureja Dharijat: 56)

Në ditën e xhuma ka një orë në të cilën pranohet duaja. Pejgamberi a.s. në lidhje me këtë thotë: “Në këtë ditë gjendet një orë nëse e takon një rob musliman duke u falur dhe kërkon prej Allahut xh.sh diçka Allahu ia jep atë”.

Do ta përmbyll këtë shkrim me lutje dhe falënderim drejtuar Zotit të qiejve dhe tokës që na bëri prej atyre që falin namazin e xhumasë. Allahu xh sh lidhur me ata njerëz që e respektojnë dhe e falënderojnë Atë thotë: Nëse falënderoni, do tua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim se dënimi im është i vështirë (Sureja Ibrahim: 7). Zoti na ruajt prej dënimit të Tij dhe ua mundësoftë të gjithë myslimanëve ti kthehen rrugës së Tij me namaz dhe vepra të dobishme. Amin!

Dibër, 14.09.2021