Sëmundja e gjuhës

Denis ef. Abdushi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

Falënderojmë Allahun, Zotin e qiellit dhe të tokës dhe Zotin e Arshit bujar, i Cili na dhuroi mirësi të panumërta, për të cilat mirësi nëse nuk tregohemi falënderues, do të na merren dhe largohen. Bekimet dhe përshëndetjet qofshin mbi Profetin e mëshirës, mësuesin e njerëzimit, Muhamedin s.a.v.s., i cili na udhëzoi drejt çdo mirësie dhe na e tërhoqi vërejtjen nga çdo e ligë.

O ju besimtarë! U përkujtoj më njërën prej mirësive më të mëdha që Allahu na i ka dhënë, e që quhet “mirësia e gjuhës dhe e të shprehurit”. Është një mirësi, domethënien dhe vlerën e së cilës e din vetëm se ai që nuk e ka. Por, njëkohësisht kjo gjuhë ka edhe rrezikun e saj të madh, e cila mund të përfundojë me pasoja të rënda në këtë botë dhe në tjetrën. andaj Allahu i Lartësuar na urdhëron të ruajmë dhe të kujdesemi për gjuhët tona dhe të peshojmë fjalët që nxjerrim, ngase për to do të merremi në llogari.

Prijësi i besimtarëve Omer ibn el-Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Kush flet shumë, gabon shumë. Kush gabon shumë, mëkaton shumë, ndërsa kush mëkaton shumë, mjerë për të nga Zjarri!”

Le ta dimë të gjithë se ashtu sikur që trupi sëmuret, sëmuret edhe gjuha. Madje, sëmundjet e gjuhës janë më të rrezikshme se ato të trupit, ngase sëmundja e trupit ta shkatërron jetën e kësaj bote, ndërsa sëmundja e gjuhës ta shkatërron jetën në të dy botët.

O ju myslimanë! Sëmundjet e gjuhës janë të ndryshme dhe të larmishme. Ndër të tjerash duhet përmendur:

  1. Të folurit për gjërat që nuk të hyjnë në punë.

Në hadith qëndron: “Prej Islamit të mirë të njeriut është të lë atë që nuk i intereson”.

  • Të zhyturit në gjërat e kota dhe të folurit për mëkatet dhe veset negative që kryhen nga disa persona të caktuar, për t’i propaganduar dhe për të përhapur të keqen në mesin e myslimanëve.

Allahu i Lartësuar këtë kategori njerëzish i kërcënon me fjalën e Tij në Kur’an: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoralitetit) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” (Sureja Nur: 19)

  • Fyerjet, sharjet dhe fjalët e pa cipa dhe jo morale:

Shumë njerëz e kanë bërë shprehi përdorimin e fjalëve të ulëta dhe jo morale, gjë e cila bie ndesh me moralin e besimtarit dhe nuk është pjesë e karakterit të myslimanit.

Në hadith qëndron: “Myslimani nuk prek nderin e të tjerëve, nuk mallkon dhe nuk është i pamoralshëm dhe gojë derdhur”. Ndërsa në hadithin tjetër: “Me siguri, Allahu e urren personin e pamoralshëm, gojë derdhur.”

  • Tallja dhe nënçmimi i të tjerëve dhe ndjekja e gabimeve të tyre.

Allahu i kërcënon me dënim ata që i nënçmojnë njerëzit dhe i shpifin ata kur thotë: “Mjerë për çdo shpifës-përqeshës!” (Sureja Humeze: 1)

  • Përgojimi i njerëzve (gibeti).

Është një sëmundje tejet e përhapur në mesin tonë, një sëmundje e cila nuk është vetëm se ves i grave, por edhe i burrave.

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Vallë, a dëshiron ndokush prej jush ta hajë mishin e vëllait të tij të vdekur?!” (Sureja Huxhurat: 12)

I Dërguari e ka sqaruar realitetin e përgojimit, ndryshe nga seç mendojnë shumica e njerëzve. Ai u tha shokëve: “A e dini se ç ‘është gibeti?” Të pranishmit thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të ditur.” I Dërguari tha: “Ta përmendësh vëllain tënd me diçka që ai e urren.” U pyet: “Çfarë thua nëse atë që e them është prezente tek ai?” I Dërguari tha: “Nëse atë që e thua është prezente te vëllai yt, e ke përgojuar. Nëse nuk është prezente, e ke shpifur.”

Shikoni o vëllezër, se si është definuar përgojimi! Vallë, a nuk është ndryshe nga që e keni ditur? Njerëzit mendojnë se nëse flasin për dikë dhe përmendin gjëra që ai i ka, nuk është përgojim, ndërsa realiteti është ndryshe. Le ta dinë të gjithë se përgojimi mund të jetë me fjalë, me shenjë, me gjest dhe me shkrim, njëjtë nëse ke përfolur pamjen fizike të tij, anën morale të tij, fenë e tij etj., e gjitha kjo është përgojim dhe bën pjesë në kërcënimin e lartpërmendur.

  • Bartja e fjalëve mes njerëzve me qëllim prishjen e marrëdhënieve dhe raporteve.

Në hadith qëndron: “Nuk hyn në Xhenet ai që bart fjalët.” Andaj, o myslimanë! Le të ruajmë gjuhët tona në mënyrë që të shpëtojnë nga barrët e rënda që i shkakton Ditën kur nuk bën dobi as pasuria, as posti, përveç atij që del para Allahut me zemër të pastër.

Allahu na udhëzoftë kah e mbara. Amin!

Dibër, 13.09.2021