Pastërtia – gjysma e imanit

Reshit ef. Mullarexha

Thotë Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë: “Dije mirë se Allahu i do ata që pendohen shumë dhe ata që janë të pastër nga brenda dhe nga jashtë” (Sureja Bekare: 222). Ndërsa Profeti ynë i dashur (a.s.) thotë: “Pastërtia është gjysma e besimit.”

Pastërtia është një nevojë që ekziston në thelbin e natyrës dhe në natyrën njerëzore apo humane, me qëllim që njeriu të jetë i pastër, i denjë, i thjeshtë dhe elegant. Feja jonë superiore – Islami, e sheh pastërtinë si një kërkesë të domosdoshme të besimit. Allahu xh.sh. urdhëron besimtarët të pastrohen nga papastërtitë materiale dhe shpirtërore dhe të jenë të pastër në të gjitha fushat e jetës.

Pastërtia është arritja e bukurisë në kuptimin shpirtëror dhe material. Të largohesh nga papastërtia shpirtërore që lodh shpirtin dhe errëson pasqyrën e zemrës, për të gjetur paqen, duke e mbajtur zemrës po aq të pastër sa bota jonë e jashtme, është kulmi i devotshmërisë. Pastërtia është të braktisim të gjitha llojet e qëndrimeve të gabuara që na bëjnë të harrojmë se jemi robër të Allahut xh.sh dhe qëllimin e krijimit tonë në këtë botë. Pastërti d.m.th. ta mbajmë veten larg mëkatit dhe haramit; të heqësh qafe sëmundjet shpirtërore të tilla si zemërimi dhe zilia, inati dhe urrejtja, gënjeshtrat dhe shpifjet, arroganca dhe hipokrizia dhe t’i drejtohemi vullnetit të Allahut, moralit të mirë dhe asaj që është hallall.

Një musliman i cili përpiqet të pastrohet në kuptimin shpirtëror, ai natyrshëm se i kushton vëmendje edhe pastërtisë së tij materiale. Virtyt i besimtarit është të jetojë i pastër dhe të kujdeset për shëndetin e tij. Çdo besimtar që përgatitet për namazin e tij me abdes, i cili është shtylla e fesë së tij dhe drita e syrit të tij, ai ka pastruar gjymtyrët e tij më të ndotura të paktën pesë herë në ditë. Kujtojmë edukatën dhe moralin e lartë që kishte Profeti Muhamed a.s., ngase ai i kushtonte vëmendje pastërtisë dhe kujdesit të tij personal. Ai mbante trupin, rrobat, shtëpinë dhe mjedisin e tij gjithmonë të pastër. I Dërguari i Allahut (a.s.) në lidhje me këtë ka thënë: “Një nga dy mirësitë që shumica e njerëzve nuk e vlerësojnë është shëndeti”. Sigurisht, rezultati i vënies në rrezik të shëndetit tuaj duke qenë të pakujdesshëm është keqardhja.

Dibër, 11.09.2021