Pozita e sinqeritetit në konceptin Islam

Mualime: Leuntina Dovolani

Falënderimi i takon Allahut xh.sh. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin a.s. Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përveç Allahut, Një dhe të pa shoq dhe gjithashtu dëshmoj se Pejgamberi a.s. është rob dhe i Dërguar i Allahut.
Nga bazat më të rëndësishme të Islamit është vërtetimi i sinqeritetit ndaj Allahut xh.sh. në të gjitha adhurimet. Në lidhje me këtë dijetarët mysliman kanë thënë: “Sinqeriteti do të thotë se gjatë veprimeve tua të mos kërkosh dëshmitar tjetër përveç Allahut dhe as shpërblyes përveç Tij”.
Sinqeriteti është e vërteta e fesë dhe çelësi i thirrjeve. Allahu xh.sh. thotë në Kur’an: “Ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë dhe të pastër ndaj Tij në besim, ta falin namazin ta japin zeqatin dhe kjo është feja e drejtë”.  Allahu xh sh gjithashtu thotë: “Thuaj Allahun e adhuroj sinqerisht, e ndaj tij e bëj fenë time” (Sureja Bejjineh: 5).

Vepra më e mirë është ajo që bëhet me sinqeritet të plotë dhe e cila është e qëlluar. Me sinqeritet është ajo vepër që bëhet vetëm për Allahun dhe e qëlluar është ajo vepër që bëhet sipas traditës të Pejgamberit a.s.

Allahu xh sh thotë: “Ai u përcaktoi juve për fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që ne ta shpallëm ty dhe me atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain, Isain, i porositëm ta praktikoni fenë drejt dhe mos u përçani në të. Për idhujtarët është rënd kjo në çka ju i thirrni ata. Allahu veçon për të atë që e do dhe e udhëzon në atë që i drejtohet Atij” (Sureja Shura: 13).

Dijetari i shquar Ibn Kijam thotë: “Kush mediton rreth sherijatit (ligjin islam) se prej ku merret ai dhe prej nga rrjedh, kupton lidhjen e ngushtë mes veprave të gjymtyrëve dhe veprave të zemrës. I janë bërë obligim robit nga veprat e gjymtyrëve dhe ku dallohet besimtari nga mynafiku përveç me atë që çdo njëri prej tyre e ka në zemër. Adhurimi i zemrës është më i madh dhe më afatgjatë se adhurimi i gjymtyrëve, ajo është obligative në çdo moment. Sinqeriteti është kusht për pranimin e veprës dhe vepra nuk pranohet vetëm se me dy kushte:

  1. Vepra të jetë në përputhshmëri me ligjin e Allahut apo me udhëzimet e Pejgamberit a.s. i cili ka thënë: “Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo nuk pranohet”
  2. Vepra të bëhet për hir të Allahut të Madhëruar. Transmetohet nga Omer Ibn Hatabi r.a. se Pejgamberi a.s ka thënë: “Me të vërtetë veprat janë sipas qëllimit dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim dhe kush shpërngulet për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe kush shpërngulet për çështjet e kësaj bote që të përfiton prej asaj apo për ndonjë grua që ta meriton atë, shpërngulja  e tij është ajo që ka pas qëllim”.

Këtë e vërteton edhe Allahu xh.sh.: “Thuaj! Unë jam vetëm njeri sikurse edhe ju. Mua me shpallet se Zoti juaj është vetëm Një e kush shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë dhe në adhurimin e tij ndaj Zotit le të mos e përziej askënd” (Sureja Kehf: 110). Sinqeriteti është prej shkaqeve themelore për pranimin e lutjeve. Thotë Allahu i Lartësuar: “Pra adhuroni në një adhurim të sinqertë ndaj Tij edhe pse jobesimtarët e urrejnë atë” (Sureja Gafir: 14).

Allahu xh sh. gjithashtu thotë: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të bukurat e saj, ne do tua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të dhe atyre nuk do tu mungoj gjë, të tillëve në Botën tjetër nuk u përket gjë tjetër vetëm Xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar”(Sureja Hud 14-15).

Transmeton Ebu Musa r.a. se erdhi një burrë tek Pejgamberi a.s. dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Dikush lufton për pasuri e dikush lufton të përmendet, dikush tjetër lufton që të shihet pozita e tij. Cila nga këto është në rrugën e Allahut? Pejgamberi a.s. ia kthen: “Kush lufton që fjala e Allahut të jetë më e lartë, ky luftim është në rrugën e Allahut”.
Transmetohet nga Fudejl Ibn Ijadi se ka thënë: Mosveprimi i veprave për hir të njerëzve është  rija (syfaqësi), kurse të vepruarit për hir tyre është shirk (idhujtari), ndërsa ihlas (sinqeritet) është të larguarit nga këta të dyja”. Është pyetur Sehl Testeri: Cila gjë është më e rënd për epshin? Ka thënë: “Sinqeriteti. Kur robi është i sinqertë, prej tij largohen dyshimet e shumta dhe syfaqësia”. Disa prej të parëve tanë kanë thënë: “Ai i cili gjatë jetës së tij, një çast është i sinqertë, vetëm për Allahun, do të shpëtojë ,kjo është nga madhështia e sinqeritetit dhe është shumë rënd që zemra e tij të zmbrapset sepse e sinqertë është ajo që nuk kërkohet përmes saj vetëm se afrimi tek Allahu xh sh.

Launtina Dovolani