Rreziku i gjuhës

Denis ef. Abdushi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit!

Falënderimet dhe lavdet më të plota i takojnë Zotit të gjithësisë, i Cili na krijoi dhe na veçoi me mirësi dhe dhunti të panumërta, i dhuroi njeriut logjikën e shëndoshë, mendjen e ndritur dhe ia mësoi të folurit e të shprehurit.

Bekimet dhe përshëndetjet më të plota qofshin mbi më të dashurin tonë, Muhamedin s.a.v.s, i cili na e mësoi të mirën dhe na e tërhoqi vërejtjen nga çdo vyrtit i ulët.

Vëllezër dhe motra! Allahu i Madhëruar na dhuroi mirësi të shumta, mirësi për të cilat kurrë nuk do të mund ta falënderojmë Allahun për to ashtu siç duhet. Ndër mirësitë në fjalë është dhe mirësia e gjuhës, nëpërmjet së cilës ne shprehim atë që kemi në brendësi dhe i kryejmë nevojat tona.

I Lartësuari na e kujton këtë mirësi në Kuran dhe thotë: “A nuk i kemi dhënë Ne atij (njeriut) dy sy, gjuhë dhe dy buzë?” (Sureja Beled; 8-9)

E si të mos jetë e tillë, kur ne, nëpërmjet kësaj gjuhe madhërojmë Zotin tonë, i thurim lavde, lexojmë Kuran dhe e përmendim Krijuesin pandërprerë!?

Nëse këtë mirësi nuk e shfrytëzojmë siç duhet, do të pësojmë prej saj dhe do të jetë kundër nesh Ditën e Llogarisë: “Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë.” (Sureja Nur; 24)

Për këtë shkak Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij na urdhërojnë të ruajmë gjuhët tona dhe t’i peshojmë fjalët që nxjerrim, ngase, nëse flasim mirë, do të vjelim fryte të këndshme, ndërsa nëse flasim keq dhe nuk i peshojmë fjalët, do të pendohemi atë Ditë kur nuk bën dobi as pasuria e as pushteti: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sureja Ahzab; 70-71)

Çfarë mendoni për një person, i cili fal pesë kohët e namazit, madje dhe ndoshta fal dhe namaz vullnetar, agjëron Ramazanin, lexon Kuran, jep lëmoshë etj., ndërsa nga ana tjetër fyen njerëzit, shan të tjerët, përgojon dhe bart fjalët dhe prek në nderin e njerëzve? A thua vallë si do të jetë halli i tij?

Dëgjoni këtë hadith, të cilin e përcjell Ebu Hurejreja, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se një njeri tha: “O i Dërguar i Allahut! Për filan gruan flitet për namazin dhe për lëmoshën e shumtë të saj. Falet natën, agjëron ditën dhe vepron e vepron…, por ajo i lëndon fqinjët me gjuhën e saj.” I Dërguari tha: “Ajo është në Zjarr.” Personi tha: “O i Dërguar i Allahut! Për filan gruan flitet për agjërimin, lëmoshën dhe namazin e paktë të saj. Fal vetëm se farzet, jep diçka nga ushqimi dhe nuk i lëndon fqinjët me gjuhën e saj.” I Dërguari tha: “Ajo është në Xhenet.”

A kaq i madh është rreziku i gjuhës?! Gjithsesi dhe tepër frikësuese.

Shoku i të Dërguarit s.a.v.s Muadh ibn Xhebeli pyeti Profetin a.s. për gjërat që nëse i kryen, do ta afrojnë pranë Xhenetit dhe do ta largojnë nga Zjarri dhe pasi Profeti ia tregoi disa gjëra, Muadhin e pyeti: “A dëshiron të të tregoj për atë që i përmbledh të gjitha këto gjëra?” Muadhi u përgjigj: “Gjithsesi, o Profet i Zotit.” Atëherë, Profeti mori gjuhën e tij dhe tha: “Ruaje këtë!” Muadhi tha: “O Profet i Zotit, a do të merremi në llogari për atë që flasim?” I Dërguari tha: “Të humbtë nëna, o Muadh! Vallë, a i hedh njerëzit me fytyrë, apo me hundë në Zjarr diç tjetër veç të korrurave të gjuhës së tyre?!”

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të!, përcjell se i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Robi e flet një fjalë pa u qartësuar në të (pra, duke mos e ditur se a është në kënaqësinë e Allahut, apo në hidhërimin e Tij), për shkak të saj hidhet në Zjarr më larg se ndërmjet lindjes dhe perëndimit.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s i pyeti shokët e tij: “A e dini se kush është i falimentuari?” Ata thanë: “I falimentuari në mesin tonë është ai që nuk ka dërhem (para) dhe pajisje.” Profeti tha: “I falimentuari prej umetit tim do të vijë Ditën e Kiametit me namaz, agjërim dhe zekat, vjen ndërsa ka fyer atë, ka shpifur për atë, ka ngrënë pasurinë e tij, ka derdhur gjakun e tij dhe ka rrahur atë. Atij do t’i jepet prej veprave të mira të tij dhe atij tjetrit do t’i jepet prej veprave të mira të tij. Nëse veprat e mira të tij harxhohen para se të shlyhet obligimi i tij, do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i hedhen atij, pastaj do të hidhet në Zjarr.”

A e kuptojmë tani rrezikun e gjuhës! Andaj, le të ruajmë gjuhët tona dhe le t’i peshojmë fjalët që i nxjerrim, ngase ata regjistrohen dhe asgjë nuk humbet: “Për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Sureja Kaf; 18)

Allahu na udhëzoftë, na drejtoftë nga e mbara dhe na frymëzoftë të mirën dhe të bukurën në fjalë dhe në vepër!