Morali i durimit në konceptin Islam

Burim ef. Sadria

Falënderimi i takon Allahut xh.sh që ja dha dhuratën më te madhe njerëzimit – Islamin. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e tij, Muhamedin a.s., familjen e tij dhe gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kiametit.

Shumë njerëzve kur u thuhet “bëj durim”, u duket se kjo është diçka më shumë teorike sesa praktike. Mbi moralin e durimit është krijuar qielli dhe toka. Durimi është një nga ligjet e gjithësisë dhe nuk ka të bëjë veçse me njerëzimin.

Asgjë nuk vjen në ekzistencë papritur dhe menjëherë, por gradualisht dhe me durim. E keni parë diellin se si lind dhe perëndon? Po embrionin se si zhvillohet gradualisht dhe me durim në barkun e nënës? Me këtë gjë Zoti i Madhëruar na mëson se çdo gjë në gjithësi është krijuar dhe vepron gradualisht dhe me durim.

Kuptimi i fjalës arabe “sabr” do të thotë: “pengim”, gjegjësisht ta pengosh veten tënde ndaj të vepruarit gjëra të ulëta. Ta pengosh veten në fatkeqësi nga hidhërimi i tepërt. Zoti i Madhëruar ne Kuranin Famëlartë durimin e përmend mbi 90 herë, gjë të cilën nuk e bën për moralet e tjera. Ai thotë: “Dhe kërkoni ndihmë ndërmjet durimit dhe faljes, me të vërtet që Zoti është me durimtarët” (Sureja Bekare:153). Dëshiron që Zoti i Madhëruar të jetë me ty, atëherë ji i durueshëm: “Ne do ju sprovojmë ju me gjëra të tilla si frika, uria, humbja e pasurisë dhe jetës…..(Sureja Bekare: 135) “Me të vërtetë që Zoti i do durimtaret” (Sureja Ali Imran: 146).

Po të lexojmë historitë e Profetëve në Kur’an, do të vërejmë që në fund të historisë, Zoti i Madhërishëm jep ajete që përmbledhin mësimet e nxjerra nga historia. Në fund të historisë së Nuhut a.s. Zoti i Lartësuar thotë: “Ji i durueshëm, pasi përfundimi i lavdishëm është për të devotshmit”(Sureja Hud: 45).

Profeti Muhamed a.s. në një hadith thotë: Durimi është dritë. Po përse vallë Profeti a.s. e përkufizon durimin si dritë? Krizat dhe fatkeqësitë që kalon njeriu gjatë jetës, janë errësira që të pengojnë të shikosh para. Humbja e njerëzve të afërt, sëmundjet e ndryshme etj., ta errësojnë jetën dhe nga kjo errësirë nuk mund të dalësh veçse me durim.

Profeti a.s. gjithashtu thotë: “Nuk ka mirësi më të madhe që mund ti japish dikujt, sesa durimi”.

Njeriu sprovohet shumë në këtë jetë si me sëmundje, si me skamje, si dhe me humbje jete, etj., por besimtari edhe në sprovë përfiton, sepse Pejgamberi jonë a.s. ka thënë: “Është e çuditshme çështja e besimtarit. Për të çdo gjë është në favor të tij. Nëse e godet ndonjë fatkeqësi, duron dhe është mirë për të. Nëse i jepet një mirësi, ai falënderon Zotit dhe është mirë për të.”

Nëse jeta jonë do te ishte pa probleme, do kishim pasuri, shëndet, etj., çfarë do të ndodhte vallë? Secili prej nesh do të bëhej mendjemadh e nuk do të kishim nevojë për njëri-tjetrin dhe do të harronim që kemi një Zot.

Durimi është i llojllojshëm. Durim në fatkeqësi, durim ndaj sëmundjes, e durim në gjëra të mira. Kur jemi te durimi në sëmundje ja vlen të kujtohet ngjarja që transmetohet nga A’ta Bin ebi Rebah. Ibn Abasi më thotë: A dëshiron të shikosh një grua nga banoret e xhenetit? I thashë “Po”. Ai më tha: Ajo grua që shkoj një ditë te Pejgamberi dhe i tha: O i Derguar i Zotit! Unë jam me sëmundjen e epilepsisë dhe kur më kap sëmundja, më ekspozohet trupi pa e kuptuar. Lutu te Zoti që të më shërojë, o i Dërguar i Zotit! Profeti a.s. ia ktheu: Nëse dëshiron i lutem Zotit, por nëse duron do të shpërblehesh me Xhenet. Gruaja ia ktheu: Do të duroj, o Profet. Por mua më ekspozohet trupi-avreti gjatë sëmundjes, prandaj lute Zotin që të mos më ndodh diçka e tillë. Profeti iu drejtuar Zotit me lutje dhe Zoti ja pranoi atë.

Llukmani a.s. duke e këshilluar djalin e tij, i thoshte: “O djali im, fale namazin, urdhëro për pune të mira, ndalo nga të këqijat dhe përballo me durim çdo gjë që të godet, se me të vërtetë kjo është nga vendosmëria”(Sureja Llukman:17)

Të flasësh për durimin të duhet më shumë se një temë andaj sot do ta mbyllim me këshillën se duhet të jemi sa me të duruar, sepse vetëm kështu mundemi ti përballojmë sfidat që na ndodhin në jetë, pa marrë parasysh a janë të mira apo të këqija.

Dibër, 29.08.2021