Myftiu i Dibrës së Madhe priti në takim miqësor diasporën dibrane

Në një ambient vëllazëror dhe me një frymë bashkëpunimi dhe solidariteti, Myftiu i Dibrës së Madhe, Reshat Kaçallniku, priti në takim miqësor bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht Myftiu i qytetit, në emër të gjithë kuadrit fetar që disponon Myftinia dhe më tej në emër edhe të gjithë besimtarëve dibranë, përmes të ftuarve të këtij takimi, shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë dibranët që veprojnë në Perëndim, si në Evropë po ashtu dhe përtej Atlantikut, për kontributin dhe solidaritetin e treguar në çdo rast dhe mundësi, në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe fetare në vend, sidomos në këtë periudhë të trazuar të pandemisë globale. Në anën tjetër, mysafirët, pasi e uruan Myftiun për detyrën e re dhe misionin e shenjtë fetar, bashkërisht biseduan për shumë tematika që janë aktualitet, mes tjerash treguar interesim të veçantë për rininë dibrane, veçanërisht për aftësitë e tyre profesionale, për avancimin e tyre akademik dhe mbi të gjitha për pastërtinë morale, në një kohë kur përballen me shumë elemente devijante të kohës. Por analizuan edhe problemet e vjetra dhe të reja me të cilat ballafaqohen qytetarët çdo ditë dhe për shkaqet e tyre por duke u përpjekur që të japin zgjidhje apo alternativa pozitive në të mirë të qytetarëve. Sipas tyre shqetësimet kryesore të këtij qyteti ngelin po ato të vjetrat, gjegjësisht mungesa e ujit, papastërtia publike, mungesa e parkingjeve, e disa të tjera.

Konstatuan se janë duke e ndjerë kthimin e besueshmërisë te institucionet vendore, politike dhe fetare, por njëkohësisht janë të interesuar të bashkëpunojnë me besnikëri, transparencë në llogaridhënie dhe në projektet e politikave publike, sidomos në ato projekte që ata planifikojnë të përkrahin me fondet e tyre. Në fund, duke qenë se jemi në një periudhë parazgjedhore, ishin të interesuar që Dibra të tregojë një kulturë të lartë në ditët e zgjedhjeve, ashtu siç i ka hije dibranit.

Dibër, 24.08.2021