Mohimi i mirësive dhe rreziku i tij!

Denis ef. Abdushi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

Falënderimet e plota e të vazhdueshme i takojnë vetëm Allahut, Zotit dhe Atij që e adhurojmë. O Allah! Vetëm ty të adhurojmë, vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë dhe vetëm te Ti i mbështesim shpresat tona. Përshëndetjet e plota dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin e Tij, robin e nderuar, Muhamedin s.a.v.s, të cilin Allahu e bëri shembullin më të lartë të moralit, falënderimit dhe adhurimit.

Robër të Allahut, mirësitë e Allahut janë të shumta saqë s’mund të përkufizohen me ndonjë numër të caktuar. Mirësia e hajes, e pijes, e shëndetit, e bukurisë, e sigurisë, e paqes, e rehatisë, e besimit, e Islamit, e dërgimit të Pejgamberit…s’kanë të mbaruar. Këtë realitet Allahu na e tregon në dy vende në Librin e Tij:

“Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër) ato. Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” (Sureja Ibrahim: 34)

“Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu shumë fal dhe shumë mëshiron.” (Sureja Nahl: 18)

Andaj, a do t’i trajtojmë mirësitë e Zotit me falënderim dhe nënshtrim ndaj Dhuruesit, apo me mohim dhe shpërdorim të tyre?!

I Dërguari i Allahut është shembulli më i lartë në këtë drejtim. Ebu Umame r.a. përcjell nga i Dërguari i Zotit, i cili thotë: “Zoti im më ofroi të ma bëjë luginën Bat’ha të Mekës të tërën ar. Unë thash: “Jo, o Zot! Por, një ditë të jem i ngopur dhe një ditë tjetër i uritur. Kur të ndjej urinë, të përgjërohem para Teje e të të kujtoj, e kur të jem i ngopur, të të kujtoj e të të bëj falënderim (hamd)”. Hadithin e transmeton Tirmidhiu.

O Allah, ç ‘është ky besim i fuqishëm dhe moral i përsosur i të Dërguarit të Zotit!

Në anën tjetër qëndron një moral i shëmtuar dhe një ves i ulët, e që është: mohimi dhe shpërdorimi i mirësive.

Vëllezër të nderuar, Allahu i Lartësuar na e ka tërhequr vërejtjen nga ky ves i shëmtuar në disa vende në Kuran. I Plotfuqishmi na drejtohet e na thotë:

“E kush e ndërron të mirën e Allahut pasi t’i ketë ardhur ajo, s’ka dyshim se ndëshkimi i Allahut është i ashpër.” (Bekare; 211)

Pra, kush nuk e falënderon të mirën e Zotit dhe e trajton me shpërfillje dhe mohim, ndëshkimi i Allahut për të është i ashpër. Në një ajet tjetër thotë:

“A nuk i vërejte ata që dhuntinë e Allahut e ndërruan me mosbesim dhe popullin e tyre e sollën në vendin e shkatërrimit!?” (Ibrahim; 28)

Robër të Allahut, le të ruhemi nga ky ves i shëmtuar – mohimi i mirësive, rreziqet e të cilit janë të mëdha, andaj në pika të shkurtra, disa prej tyre do ti theksojmë më poshtë:

  • Mohimi dhe shpërfillja e dhuntive të Zotit sjell hidhërimin dhe ndëshkimin e Zotit.

A nuk e keni dëgjuar rastin e popullit të Shebës, të cilin mund ta gjeni në suren Sebe?! A nuk ju ka ardhur lajmi i pronarit të kopshtit, të cilin lajm na e rrëfen Kurani në suren Kehf?! A nuk e keni dëgjuar shembullin e një vendi, të cilin Allahu e sjell në ajetin e sures Nahl?! Por problemi qëndron aty se nuk jemi prej atyre që lexojmë Kuran, përveçse pak.

  • Mohimi i mirësive është shkak për pakësimin dhe largimin e tyre:

“Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim se dënimi im është i vështirë!” (Ibrahim; 7)

Sa e sa njerëz në mesin e të pasurve u varfëruan! Sa e sa të lumtur u bënë fatkeq! Sa e sa njerëz jetonin në rehati të plotë, por i kaploi mjerimi dhe fatkeqësia! E gjitha kjo sepse nuk ditën të përkujdesen për dhuntitë siç duhet dhe i shpërfillën e për rrjedhojë i humbën.

Andaj, le të jemi prej atyre që gëzohen me mirësitë e Zotit, i falënderojnë dhe i shfrytëzojnë ashtu siç Zotit e kërkon dhe assesi prej atyre, të cilët i shpërfillin ato, i mohojnë dhe i shfrytëzojnë aty ku Zoti është i hidhëruar.

Kush e bën këtë lutje në të gdhirë, ka kryer falënderimin e asaj dite, po ashtu kush e bën po këtë lutje në të ngrysur, ka kryer falënderimin e asaj nate:

“O Allah, çdo mirësi që më ka ardhur këtë mëngjes/mbrëmje është vetëm se prej Teje, i Cili je i pashoq. Andaj, Ti të takon falënderimi dhe Ti të takon falënderimi (hamdi)”.

Falënderimi i takon Allahut, ndërsa përshëndetjet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin s.a.v.s.

Dibër, 22.08.2021