Mualime Shkëndije Mullarexha
Myslimanët në mbarë botën kremtuan vitin e ri të kalendarit islam dhe hënor 1443. Hyrja e vitit të ri ndërlidhet me ngjarjen e Hixhretit të Muhamedit a.s., përkatësisht me migrimin e Profetit Muhamed a.s. nga Meka në Medine në vitin 622 sipas kalendarit Gregorian.
Kalendari islam ka 12 muaj ndërsa çdo muaj i cili fillon me shfaqjen e hënës së re ka 29 ose 30 ditë, varësisht nga ndërrimi i hënës. Kushtet, ritet fetare dhe manifestimet në ditë të rëndësishme në fenë islame kryhen sipas kalendarit islam.
Vlen të përmendim ngjarjen historike të migrimin të Muhamedit a.s. dhe Ebu Bekrit, Zoti qoftë i kënaqur me to. Kjo fe e bukur që ka lulëzuar në gjithë botën nuk erdhi me lehtësi por Pejgamberi ynë a.s. dhe sahabët e nderuar duruan tortura të ndryshme vetëm të përhapin fjalën La – Ilahe – ilallah (Nuk ka zot tjetër pos Allahut). Patën sakrifica të shumta, plaçkitje pasurish, djegie shtëpish si dhe humbje jete. Pejgamberi ynë dhe myslimanët duruan 13 vite, derisa u erdhi urdhëri nga Allahu që të largohen nga Mekeja e Shenjtë. Së pari u larguan myslimanët e tjerë, gratë, pleqtë dhe fëmijët, ndërsa të fundit që u larguan nga Meka ishin Muhamedi a.s. dhe Ebu Bekri, shoku i tij besnik.
Muhamedi a.s nuk do të largohej kurë nga Mekaja, sepse ky qytet ishte vendlindja e tij, por pasi nuk mund të praktikonin Islamin të lirë, sidomos namazin, ata u detyruan të largohen përkohësisht. Gjatë udhëtimin, idhujtarët i ndoqën me qëllim për ti eliminuar dhe vrarë. Si rrjedhojë, Pejgamberi ynë dhe Ebu Bekri qëndruan tri ditë në shpellë të fshehur por në fund me ndihmën e Zotit mbërritën në Medinën e Bekuar. Muslimanët në Medine i priten me shumë gëzim, saqë jehonte tekbiri Allahu Ekber dhe këndonin salavate dhe ilahije kushtuar njeriut më të dashur në tokë dhe në qiell, Muhamed Mustafasë. Ata këndonin me zell:
O Muhamed o Pejgamber,
për ty kible je imam,
të bekoi Zoti me urtësinë,
edhe ne të çojmë selam!
Ky ishte momenti ku myslimanët e Medinës të quajtur Ensarë dhe muslimanët e Mekës të quajtur Muhaxhirë, u bashkuan dhe u vëllazëruan, saqë gëzim më të madh nuk kishte, sepse ashtu të unifikuar askush nuk mund ti sundonte më.
Profeti ynë a.s. pas shumë vështirësive dhe vuajtjeve që kaloi si në Mekke ashtu dhe në Taif, ku u mundua të përhapte Islamin, mirëpo idhujtarët kudo që shkonte e sulmonin, e gurëzonin, saqë thuhet se në Taif prej goditjeve edhe këpucët ju mbushën me gjak. Pejgamberi ynë nuk i mallkoi idhujtarët por u lut me lutje që Allahu ti udhëzojë. Raste të ngjashme të dhunës fizike me psikologjike kishte përjetuar edhe në Meke, por deshi Zoti që pas 10 viteve Pejgamberi ynë dhe myslimanët u kthyen dhe çliruan Meken nga idhujt dhe idhujtaria, andaj kjo ishte plotësim dhe përmbushje e lutjes së tij drejtuar Allahut Fuqiplotë.
Ne sot, pas 1443 viteve kujtojmë Hixhretin e Pejgamberit tonë të dashur me shumë mall, andaj konsiderojmë se Hixhreti ynë është të largohemi nga veprat e ndaluara dhe të praktikojmë farzet e Allahut. Të mbjellim paqe, mëshirë, lumturi në gjithë botën.
Dibër, 19.08.2021