Hixhret (shpërngulje) nga atdheu për atdhe

Në vend të urimit nga Reshat Kaçallniku – Myfti i Dibrës së Madhe

Thotë Allahu xh.sh. në suren Nisa, ajeti 97: “Engjëjt që ua morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetes u thanë: Në çka ishit ju? Ata thanë: Ne ishim të paaftë (shtypur) në tokë (botë)! (Engjëjt) u thanë: A nuk ishte e gjerë toka?…. Vendi i tyre është Xhehenemi. Sa vend i keq është ai!”

Në ajetin e lartë përmendur, Zoti i Botëve, përmes diskutimit i cili zhvillohet mes engjëjve dhe njerëzve nxjerr në pah arsyetimin e mirënjohur që thotë: “ishim të shtypur në Tokë!” Mundësia e lëvizjes përtej kufijve (p.sh mental, ideologjik, kulturor, ekonomik, etj.,) të cilët na i kanë përcaktuar të tjerët dhe arsyetimi ynë se kështu e kemi gjetur dhe nuk mund të ndryshojmë asgjë, nxjerr qartë në shesh paaftësinë, mosnjohjen e mundësive, mos çarjen kokë për shfrytëzimin e potencialeve ideore, profesionale, mundësinë e dialogut, bashkëveprimit, përdorimin e pasurive natyrore për mëkëmbje ekonomike etj., andaj ajeti përfundon se këta njerëz që çdoherë ankohen te të tjerët për paaftësinë e vet për ti ndryshuar gjërat, vendin e kanë në Xhehenem. Pra, në Xhehenem nuk na çojnë vetëm mëkatet tona karshi Zotit dhe të tjerëve, por edhe paaftësia, mosnjohja e gjërave dhe mos shfrytëzimi i kapaciteteve.

Hixhreti (migrimi) i theksuar në ajetin e mëparshëm nuk ka të bëjë vetëm me kërkimin e hapësirës së re gjeografike për vetë realizim, por nënkupton edhe përpjekjen për hapësirë personale, intelektuale, kulturore, politike etj., për të realizuar ëndrrat tona individuale dhe kolektive. Realizimi i ëndrrave në këto rrethana ku është shfaqur mosbesimi i ndërsjellë dhe vetëmburrja, sikur kemi bërë diçka thelbësore, madje duke shfrytëzuar edhe ”mediumet propagandistike”, nënkupton që në mënyrë imediate të braktiset dhe të hiqet dorë nga të gjitha gjërat e ulëta, që çuan në dekadencë arsimin, drejtësinë, meritokracinë, perspektivën e rinisë, si dhe shumë segmente jetike në vendlindje.

Nëse e analizojmë këtë ajet nga prizmi i realitetit të sodit, shohim se pjesa dërmuese e qytetarëve, me theks të veçantë rinia, pavarësisht potencialit të tyre intelektual, te ato ekziston një lloj pesimizmi dhe humbje shprese e aspirate për vendlindjen e tyre dhe për të ardhmen e tyre në vend; në vazhdimësi dëgjojmë fjalët: nuk bëhet ky vend; nuk rregullohen institucionet këtu; nuk ka perspektivë për ne këtu; nuk respektohet ligji; nuk ka meritokraci; etj. Vallë, prej ku buron ky pesimizëm?! A thua prej xhamive tona?! Prej predikimeve tona fetare?! Nuk besoj! Xhamitë janë ndër vendet e vetme ku rinia potencohet për të mirë, motivohet me shembuj nga trungu profetik dhe me ngjarje sahabësh, shumica prej tyre që ishin të rinj, por që ju bashkëngjitën karvanit të suksese të njëpasnjëshme të Profetit Muhamed a.s. Problemi mendoj se është diku tjetër dhe për këtë çështje jam i hapur për debat të civilizuar. Faji është pikërisht te sistemi destruktiv politik që shfrytëzon potencialin e të rinjve e në anën tjerët meritat i merr për vete; shfrytëzon emrat e tyre të pastër dhe çiltër për kampanja zgjedhore dhe pastaj detyrat ua delegon atyre që kanë shfrytëzuar këtë vend denbabaden. Të rinjtë e mençur dhe të shkolluar, tashmë kanë filluar ta nuhasin këtë padrejtësi karshi tyre, andaj shpresat i kanë varrë në mërgatë. Sot jemi dëshmitarë se njerëzit tanë në diasporë janë ndër më të suksesshmit në fushat e tyre dhe kjo na bën krenarë të gjithëve, por kjo u jep edhe motiv të rinjve tanë që edhe ata të migrojnë për të ndjekur ëndrrat e tyre. Duke qenë të kujdesshëm që të mos japim konkluzione të gabuara se si duhet vepruar në raste të tilla, themi që kjo gjendje është thikë me dy tehe. Por të prirur nga këshillat Hyjnore, konstatojmë se Zoti është decid kur vjen në pyetje dinjiteti njerëzor. Andaj rinia duhet të bën përpjekje maksimale që të çlirohet nga kthetrat e politikës që ditë për ditë është duke i shfrytëzuar dhe duke i shkatërruar ëndrrat e tyre rinore, andaj duke u organizuar dhe unifikuar në fusha të ndryshme zhvillimore, ekonomike, kulturore, artistike, historike, fetare, sportive, intelektuale, etj. të pavarësohet dhe të aftësohet për sfidat e jetës, që nesër ato të jenë dirigjues të politikanëve dhe jo e kundërta. Në të kundërtën, në çdo lloj pamundësie, paaftësie dhe përpjekje të dështuar, nuk duhet të vlen ideja e nënshtrimit, dorëzimit dhe puthjes së dorës së pushtetarëve, por alternativë e fundit ngelën përgjigjja që engjëjt ua dhanë atyre që u kishte vdekur shpresa: A nuk ishte e gjerë toka?

Nëse do ishim ndalur këtu, do kishte qenë shkrimi më pesimist që mund të ekzistonte, por jo! A mendoni se kur Muhamedi a.s. emigroi në qytetin e Medines, pa vullnetin e vet, harroi vendlindjen e tij? Assesi! “A nuk ishte toka e gjerë” nënkupton që ti duhet të shkosh në një vend të lirë dhe të përshtatshëm që atje të thithësh forca të reja, të mbushesh me energji të reja dhe tërë këtë potencial ta orientosh për vendin tënd.

Më thoni, këto organizime kulturore dhe sportive që zhvillohen në qytetin tonë pse bëhen verës dhe jo dimrit?! Sepse në këtë periudhë vijnë pikërisht të diasporës, dikur rini e braktisur e këtij qyteti, që derisa ishin këtu, nuk iu vë veshi nga pushteti, por që u larguan për një jetë më të mirë, sepse kuptuan me intuitë dhe ndërgjegje të pastër thirrjen engjëllore “a nuk ishte toka e gjerë”, me shpresë që një ditë përsëri do kthehen në vendlindje, por si fitimtarë e të suksesshëm që u dëgjohet fjala dhe jo si të paaftë dhe të shtypur.   

Urtësitë nga ajeti i lartpërmendur janë të shumta, por do ta mbylli me një të fundit. Nuk është e mjaftueshme vetëm ndërrimi i vendit, apo ndërrimit të një grupi të caktuar me një grup tjetër, por thelbësore është heqja dorë nga ideologjitë e gabuara, zakonet e këqija dhe poshtëruese, shërimit të një mentaliteti i cili nuk shikon më larg sesa shfrytëzimi i rastit dhe mundësisë për tu veshur me petkun siç duan përparimtarët, por në brendësi sikur ajo thënia arabe nefsi-nefsi që d.m.th. shpirti im, shpirti im.

Kush kupton drejt mesazhin e Hixhretit, duke mënjanuar nga personaliteti i tij gjithçka që pengon ruajtjen e personalitetit, dinjitetin familjar, institucional, shoqëror, si dhe përparimin dhe zhvillimin e vendit, ai ëndrrat e gjithmbarshme padyshim do ti realizojë, me leje të të Madhit Zot.

Padyshim o i Dërguar a.s na fole me fjalën më të lartë, na udhëzove drejt sukseseve dhe na vlerësove lartë kur na edukove që të jemi dora e lartë (që jep) dhe jo e poshtme (që merr).

Dibër, 08.08.2021