Denis ef. Abdushi
Me emrin e Allahut, të Gjithë Mëshirshmit, Mëshirëbërësit
Falënderimet më të plota i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve, Krijuesit të gjithësisë, të Adhuruarit të krijesave, Sunduesit të zemrave.
Përshëndetjet më të plota dhe salavatet ia drejtojmë të Dërguarit tonë, profetit Muhamed, mbi të cilin dërgon salavat dhe Allahu dhe engjëjt e tij.
Allahu i Lartësuar ka bërë përzgjedhje në mesin e krijesave të Tij, duke i veçuar dhe dalluar disa prej tyre, ndërsa përzgjedhja në fjalë nuk i takon askujt tjetër veç Allahut. Kështu, Ai nga mesi i njerëzimit bëri veçimin dhe dallimin e pejgamberëve dhe profetëve të Tij. I Lartësuari dalloi disa prej vendeve (Mekën dhe Medinën) me shenjtëri dhe po ashtu dhe disa prej muajve.
Në Kuranin Famëlartë i Lartësuari na drejtohet me këto fjalë: “Tek Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në Librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjta. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj)…” [Sureja Teube; 36], ndërsa këta katër muajt, të cilat Allahu i ka veçuar si të shenjta janë: Dhul-Kade, Dhul-Hixhe, Muharem dhe Rexheb, sipas asaj që e tregon i Dërguari i Zotit në hadithin e saktë.
Vëllezër të nderuar, jemi në prag të vitit të ri hënor, gjë e cila shënon hyrjen në një muaj tjetër të shenjtë: muaji i Allahut Muharemi, pasi që i japim lamtumirën muajit të shenjtë dhe muajit të Haxhit, Dhul-Hixhe. Edhe ky muaj, sikurse muajt tjerë të shenjtë, veçohet me karakteristikat dhe veçoritë e tij, me të cilat dëshiroj t’i përkujtoj vëllezërit e mi:
Muaji Muharem është prej muajve të shenjtë, siç parapriu më lartë, madje prej muajve më të mira në mesin e muajve të shenjtë.
Muaji Muharem është i vetmi muaj, të cilin i Dërguari i Zotit ia dedikon Allahut të Lartësuar kur e ka quajtur “shehrullahi el-muharem – muaji i Allahut Muharemi”.
Muaji Muharem është muaji, në të cilin Allahu shpëtoi Musain a.s dhe popullin e tij nga tirania dhe kthetrat e Faraonit dhe popullit të tij, ndërsa kjo paraqet gëzim për ne si myslimanë, ngase besojmë dhe i duam të gjithë profetët pa dallim.
Agjërimi në muajin Muharem është agjërimi më i mirë pas agjërimit të detyruar.
Ebu Hurejre r.a përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është muaji i Allahut, të cilin e quani Muharem, ndërsa namazi më i mirë pas farzeve është namazi i natës.” [Muslimi]
Në muajin Muharem ndodhet një ditë me vlerë të madhe, e ajo është dita e dhjetë e këtij muaji e njohur si dita e Ashurasë, në të cilën ditë Zoti shpëtoi Musain a.s dhe popullin e tij nga padrejtësia e Faraonit kriminel.
Ibn Abasi r.a tregon: “Profeti s.a.v.s shkoi në Medinë dhe jehuditë i gjeti duke e agjëruar ditën Ashura. Ai pyeti; ‘Ç ’është kjo?’ Ata thanë: “Kjo është një ditë e mirë. Në këtë ditë Allahu shpëtoi izraelitët nga armiku i tyre, andaj Musai e agjëroi.’ I Dërguari tha: ‘Unë jam më i denjë për Musain se ju.’ Kështu, Profeti e agjëroi (atë ditë) dhe urdhëroi agjërimin e tij.” [Buhariu dhe Muslimi]
Por le të mos mendojë ndonjëri se Profeti e agjëroi ditën Ashura vetëm sepse i pa jehuditë duke e agjëruar. Assesi. I Dërguari i Allahut e agjëronte atë ditë edhe në periudhën mekase së bashku me fisin e tij, siç qëndron në hadithin e saktë, ngase ishte një ditë, të cilën nuk e madhëronin vetëm se ithtarët e Librit, por edhe arabët.
Agjërimi i ditës së Ashurasë shlyen mëkatet e një viti.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Shpresoj tek Allahu që agjërimi i ditës së Arafatit t’i shlyen mëkatet e një viti para dhe një viti pas tij, ndërsa agjërimi i ditës së Ashurasë shpresoj tek Allahu që t’i shlyen mëkatet e vitit para tij.” [Muslimi]
Ndërsa agjërimi i ditës së Ashurasë realizohet në këtë mënyrë:
A. Agjërimi vetëm se i asaj dite, pra agjërimi vetëm në ditën Ashura, ndërsa në këtë nuk ka kurrfarë pengese.
B. Agjërimi i ditës së Ashurasë duke ia bashkangjitur ditën e nëntë, pra ditën para saj.
C. Agjërimi i ditës Ashura duke ia bashkangjitur ditën pas saj.
Ndërsa agjërimi i tri ditëve rishtazi – dita e nëntë, e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë – nuk ka bazë të shëndoshë.
Porosisim vëllezërit të jenë vigjilentë dhe t’u kushtojnë rëndësi muajve të shenjtë, ngase janë muaj madhështorë, ndërsa mëkati që kryhet në to është më i madh dhe më i shëmtuar.
Nxis vëllezërit të shpeshtojnë veprat e mira, si: duaja dhe lutja, leximi i Kuranit, lëmosha, ndihmesa ofruar njerëzve dhe në veçanti agjërimi dhe t’i shfrytëzojnë sa më shumë sezonet e mirësive.
Allahu na drejtoftë ne dhe mbarë muslimanët nga e mbara dhe rruga e drejtë.
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Kiamet.
Dibër, 08.08.2021