Guxo dhe përkrah të drejtën!

Opinion nga Reshat Kaçallniku – Myfti i Dibrës së Madhe

Sa më i më lart që mendon se është ngritur njeriu, aq më e pavarur i duket vetja nga udhëzimi Hyjnor. Ky lloj perceptimi për vetveten shkatërron pa e ndjerë brendësinë shpirtërore por edhe logjikën e tij në konceptimin e veprimtarive dhe vendimeve që merr. Dita nuk i ngjan ditës e as viti vitit e njeriu është çuar kundër njeriut, i arsimuari është pa devotshmëri, “besimtari” duket vetëm në formë dhe jo në moral cilësor, i fuqishmi vetëm përhap shkatërrime në tokë, i pasuri është fascinuar me ndërtimet e tij, që nuk kanë as bukuri për syrin, as qetësi për shpirtin e as kujdes ndaj shfrytëzimit të tokës që vet e quan atdhe, e gjithë kjo në sy të një administrimi të pafuqishëm ose e zhytur në shfrytëzim nga paraja.

Dëshiroj të përkujtoj veten dhe të gjithë juve me një margaritar nga oqeani i thellë dhe i gjerë pa brigje i Kur’anit të Lartëmadhëruar. Kur ta kuptoni, menjëherë do të gjunjëzohemi bashkërisht, me çka ju mbetet ose të ndryshoni ose do bartni barrën historike ndër breza, por edhe llogarinë para të madhit Zot.

Thotë Allahu xh.sh. në suren Jasin, ajetet 20 dhe 21: ”Dhe prej skajit të largët të qytetit erdhi me nguti një njeri dhe tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!” Dëgjoni ata që nuk kërkojnë prej jush ndonjë shpërblim dhe që janë udhërrëfyes!”

Duke shkëputur fragmentin: “…prej skajit të largët të qytetit erdhi me ngut një njeri…” kuptojmë se ka momente kur njeriu vet duhet të nisë një vetiniciativë të caktuar. Nëse ai ka kapacitetet dhe njohuritë e duhura për ta shpalosur një të vërtetë, ngjyrimi në bindje nuk duhet të jetë pengesë për tu hapur sytë dhe zemrat njerëzve për atë që as nuk e shohin e as zemrat nuk ua ndjejnë. Kjo vlen sidomos për institucionet vitale prej të cilës varet ardhmëria popullit, përkatësisht: arsimi, familja, përfaqësimi i drejtë, puna e dinjitetshme dhe beteja me të keqen, që nuk i kap vetëm keqbërësit por edhe gjithë të tjerët që sillen sikur s’kuptojnë.  Fatkeqësisht kjo që theksova është shndërruar edhe në sëmundje karakteri.

Që të mbrohet e vërteta duhet dikush të merr guximin ta thotë, e pastaj ai që e thotë nuk duhet ti mungoj sinqeriteti, argumenti dhe forma e duhur e shprehjes së të vërtetës. Në anën tjetër, këtë të vërtetë, duhet dikush ta dëgjojë. Nëse i kthehemi ajetit të sures Jasin, largësia nuk e pengoi thirrësin që ai të dalë me ngut për të proklamuar të vërtetën. Kjo jep të kuptosh se nëse jam ndryshe nga ty, ose nuk jam në funksion apo pozitë sikur ty, ose bindjet e mia nuk janë sikur të tuat etj., mes nesh duhet të flet argumenti, ndërsa të gjitha të tjerat janë dytësore apo sekondare.

Puna që bëhet bërë për të mirën kolektive është jetike. Prej saj varet fati jonë dhe çështja se a do të jemi këta që jemi apo do tjetërsohemi, a do të dashurojmë e respektojmë njeri-tjetrin sinqerisht apo të xhelozojmë dhe mburremi me pozitat tona sikur Iblisi kur tha se është më i mirë se Ademi a.s. vetëm e vetëm sepse ishte krijuar nga zjarri, me ç ‘rast u bë dëmtues i vetvetes.

Kur shikojmë se e vërteta rrezikohet duke u kanosur njerëzit që proklamojnë të vërtetë; kur shohim  se në çdo institucion të mundshëm por edhe brenda familjes rrezikohet drejtësia, duhet domosdoshmërish të flasim e të punojmë me të gjitha mjetet e kohës, vetëm e vetëm që të shpëtohet e vërteta dhe të fiton drejtësia, kjo do të bëjë që në tokat tona shekullore dhe në institucionet edukativo-arsimore cilësore, përfaqësim nga njerëz të aftë dhe të drejtë dhe jo piskëllima, fe në thelbin e kuptimeve të saj dhe jo njerëz të britmave etj.

Njeriu në ajetin e lartshënuar nuk përmendet me emër, ngjyrë, përkatësi, etj. por përmendet veprimtaria e tij, e cila u përjetësua deri në kiamet në Kur’anin Famëlartë. Ai me veprimtarin e tij tregon dashurinë ndaj fesë, përkrahjen në mision të njerëzve të zgjedhur, besnikë, fisnikë, larg interesave të ulëta të njerëzve të korruptuar, dëshira që në mjedisin e njerëzve të dominojë e vërteta, dashuria ndaj interesit të përgjithshëm, liria e prezantimit të idesë me urtësi dhe këshilla cilësore dhe ku triumfi do jetë përfundimisht në anën e të sinqertëve. Për këtë ajet ka shumë të thuhet, por ne do themi aq sa na nevojitet për të kuptuar thelbin dhe për të kuptuar se Kur’ani vërtet të bën krenar, të zgjon logjikën e fjetur, të bën të jesh vetëkorrigjues për të mirën e vetes dhe gjithkujt rreth teje. Për të mirën e atij që përfaqëson dhe për krenarinë e të përfaqësuarit.

Dibër, 05.08.2021