Myslimani nuk gënjen

Fisnik ef. Çela

Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotë. Përshëndetjet me paqe qofshin për Muhamedin a.s. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin për familjen e tij, shokët e tij besnik dhe të gjithë besimtarët në Islam.

Gënjeshtër llogaritet çdo fjalë që nuk është e vërtetë, qoftë duke e thënë për shaka, apo për seriozitet, apo për t’i bërë të tjerët që të qeshin. Për fat të keq, në shoqërinë tonë është përhapur shumë kjo dukuri negative. Vështirë është të shpëtojë nga ajo i vogëli apo i madhi, gruaja apo burri, politikani apo njeriu i rëndomtë. Thotë Profeti a.s: “Ka njerëz që gënjejnë dhe bëjnë të pamundurën për të gënjyer, derisa të shkruhen tek Zoti si gënjeshtarë. Ka të tjerë që flasin drejt dhe e kërkojnë drejtësinë, derisa të shkruhen tek Zoti fjalë drejtë” (Buhariu,6094).

Vallë, o njeri! Si do të paraqitesh para Zotit me gjithë ato gënjeshtra që ke thënë? Mos thuaj se gënjeshtrat e tua janë të vogla dhe të pa dëmshme. Shkoi një herë Esmaja, vajza e Ebu Bekrit r.a. tek Profeti a.s dhe e pyeti: “O i Dërguar i Zotit, më pyesin njerëzit: A të pëlqen filan gatimi? Unë, edhe pse më pëlqen, u them: Jo, jo, nuk më pëlqen. Profeti a.s tha: “ Gënjeshtra shkruhet tek Zoti gënjeshtër, sado e vogël dhe e pavlerë qoftë.”

Dikush e pyeti Profetin a.s.: “O i Dërguar i Zotit, a mundet që një besimtar të jetë koprrac? Po -ia ktheu Profeti a.s. “ Po a mundet që një besimtar të jetë frikacak? Po! – iu përgjigj Profeti a.s. Po a mundet që një besimtar të gënjejë? Jo – ia ktheu Profeti a.s.”  Kjo, pasi ai që gënjen e bën për të mbuluar gjynahe të tjera.

Për ta ilustruar këtë temë me shembuj nga Kurani, menjëherë do të udhëtojmë në botën mahnitëse të Kur’anit Famëlartë. Kujtojmë rastin e Jusufit a.s, pasi vëllezërit e hodhën Jusufin a.s në pus nga xhelozia që kishin në zemrat e tyre, atë ditë kullotën bagëtitë dhe u nisën për në shtëpi. Këtë skenar na e përshkruan Kur’ani: “Në mbrëmje erdhën duke qarë te babai i tyre” (Sureja Jusuf:16).  Ky ajet i përket fushës së psikologjisë. Zoti në Kur’an përmend se vëllezërit vajtën tek babai i tyre në mbrëmje. Po përse e përcakton Kur’ani pikërisht kohën kur vëllezërit vajtën tek Jakubi a.s.? Ç ‘vlerë ka, nëse vajtën natën apo ditën, përderisa kryen një krim? Vëllezërit vendosën të kthehen në mbrëmje natën, pasi kishin frikë se mos babai i tyre i kupton nga fytyra që po gënjejnë. Sado eksperiencë të kesh në gënjeshtra, fytyra të tregon që po gënjen. Sado bukur të thurësh gënjeshtrën, shikimet e syve, lëvizjet e buzëve dhe fytyra e tregojnë se po gënjen. Edhe pse ishin dhjetë vëllezër dhe trilluan një gënjeshtër, pak a shumë të besueshme, ishin të ndërgjegjshëm se mimika e fytyrës dhe shikimi i syve do ti tradhtonte para babait.

Tek fjalë: “duke qarë”, ata mund të hiqeshin sikur qajnë, por jo edhe të qanin realisht. Realiteti është se ata qanin me të vërtetë. Ata sapo kishin bërë një krim dhe do të përballeshin me babanë, të cilin do e gënjenin. Ata kishin vrarë vëllain e tyre të vogël dhe ndiheshin fajtorë.

El-Ameshi, një nga dijetarët që erdhën pas gjeneratës së sahabëve, ishte ulur me gjykatësin e njohur Shurejhun. Në ato çaste vjen një grua që filloi ti ankohej Shurejhut për një grua tjetër, e cila i kishte bërë padrejtësi. Teksa i qante hallin, ajo filloi të qajë tepër. Kurse gjykatësi Shurejhu, vazhdonte ta pyeste imtësisht. El-Ameshi i çuditur i tha: Mjaft e pyete o Shurejh. A nuk e shikon se si qan? Por Shurejhu iu përgjigj: “ Jo për Zotin, edhe vëllezërit e Jusufit shkuan tek babai i tyre duke qarë, por ishin fajtorë. Prandaj, mos gjyko veçse drejt.

Gënjeshtra që sajuan vëllezërit e Jusufit a.s. për ti thënë babait ishte se Jusufin a.s e kishte ngrënë ujku, ashtu siç e kishte parashikuar Jakubi a.s. më parë. Shihni si e përshkruan Kur’ani Famëlartë ndodhinë: “Ata thanë: O babai ynë, ne shkuam të bëjmë gara, kurse Jusufin e lamë tek rrobat tona.(kur u kthyem) Atë e kishte ngrënë ujku. Ti nuk do të na besosh, edhe po të themi të vërtetën” (Jusuf:17). Pikërisht me fjalët: “Ti nuk do të na besosh, edhe po të themi të vërtetën”, ata zbuluan veten se gënjenin. Arabët thonë në një fjalë të urtë: “ Fajtori gati sa nuk thotë: Më merrni”. Gafa e dytë që e bënë, është se këmishën e Jusufit a.s e sollën të paprekur. Ata therën një dele dhe me gjakun e saj, lyen këmishën e Jusufit a.s. Pyetja lind: Përderisa Jakubi a.s e kuptoi gënjeshtrën, përse nuk u tha në fytyrë se ju po më gënjeni?! Përgjigja është se Jakubi a.s ishte një prind që dinte se si ti edukonte fëmijët. Nëse do tu thoshte që gënjejnë, zilia, smira dhe urrejtja do u shtohej atyre edhe më shumë. Jakubi a.s e dinte se Jusufi a.s është gjallë nga ëndrra që pa më parë Jusufi a.s. Pra, Jakubi a.s. nuk  i ndëshkoi edhe pse e dinte të vërtetën e hidhur. Nëse do ti dëbonte nga shtëpia për këtë vepër, përveç Jusufit a.s. ai do të humbiste dhe dhjetë fëmijë të tjerë.  Rezultati kësaj ishte se Jakubi a.s. duroi dhe e gjeti Jusufin a.s. si udhëheqës të  Egjiptit pas disa dekadave. 

O njeri! Nëse je mësuar të gënjesh për çdo gjë, pendohu në këto çaste dhe largohu nga ky ves i keq. Të jesh i bindur se me braktisjen e gënjeshtrës, do të kesh mundësi të braktisësh shumë gjynahe të tjera. Në fund, duke shpresuar në mëshirën dhe shpërblimin e Tij, e lusim Allahun Fuqiplotë të na mbrojë nga ky ves i keq.

Dibër, 02.08.2021