Shoqëria në Islam

Burim ef. Sadria

Falënderimi i takon Allahut xh.sh. që na bëri pjesëtar të fesë Islame. Paqja, mëshira e Allahu qoftë mbi të dërguarit e tij Muhamedin a.s., mbi familjen e tij dhe gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Kiametit.

Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe shoqërisë. Muhamedi a.s. triumfoi me shokë të mirë si Ebu Bekri, Omeri, Uthmani, Aliu, e shumë të tjerë, Zoti qoftë i kënaqur me to.

A e dini cili është shoku më i mirë dhe më i dashur? Është ai që të ndihmon të njohësh dhe të adhurosh Zotin e Madhëruar. Është ai që të nxjerr nga errësira në dritë dhe bëhet shkas për tu drejtuar në rrugën e drejtë. Nga vetë natyra e tij, njeriu është shoqëror, i pëlqen shoqëria dhe nuk mund të jetojë i vetëm. Kur Zoti i Madhëruar e zgjodhi Musain a.s. profet dhe e urdhëroi që të shkonte tek Faraoni ta këshillonte, Musai iu lut duke i thënë: “O Zot, ma zgjero gjoksin (më ndihmo) dhe ma lehtëso këtë punë. Ma zgjidh nyjën që kam në gjuhen time, që ta kuptojnë fjalën time. Më cakto një që të më ndihmojë nga familja ime. Harunin, vëllain tim. Që të më shtohet fuqia. Bëje atë ortak me mua. Në mënyrë që të të madhërojmë më shumë dhe të të kujtojmë ty më shpesh. Me të vërtet Je Ndihmësi ynë (Sureja Taha: 253).

Shokët mund ti ndajmë në tri grupe:

1.Grupi i parë, janë të bindur ndaj Zotit të Madhëruar dhe të lidhur me Të.

2.Grupi i ditë, janë gjynahqarët që bëjnë të gjithë të këqijat.

3.Grupi i tretë, të shkujdesurit dhe as nuk janë nga të parët që të jenë të lidhur dhe të adhurojnë Zotin e Madhëruar dhe as të dytët që të bëjnë punë të liga.

Muhamedi a.s ka folur shumë për shoqërinë e mirë, ndër të tjera Ai ka thanë: “Atë njeri që Zoti ia do të mirën, i jep shokë të mirë. Nëse harron e kujton dhe kur e kujton e ndihmon”. “Nuk ka gjë më të mirë, pas fesë, sesa një shok të sinqertë”. “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni dhe nuk të besoni derisa ta doni njëri-tjetrin. A doni t’ju tregojë diçka, të cilën nëse e vepronit do ta donit njëri tjetrin? – Jepni selam njeri-tjetrit”.

Një ditë, kur Muadh bin Xhebeli ishte duke ndenjur në një xhami të Bagdadit, i afrohet një njeri dhe i thotë: Për Zotin unë të dua për hatër të Tij”. Gëzohu i tha Muadhi se e kam dëgjuar vet Profetin duke thënë: “Ditën e Kiametit do te vendosen rreth Arshit podiume prej drite, mbi të cilat qëndrojnë njerëz që kanë veshur rroba prej drite dhe fytyrat u ndriçojnë. Nuk janë as profetë, as dëshmorë por vet profetët dhe dëshmorët do ti kenë  zili. E pyetën – kush janë këta o Profet? Këta, tha – janë ata njerëz që e kanë dashur njëri-tjetrin për hatër të Zotit, jo për shkak të gjakut dhe miqësisë dhe as për shkak te pasurisë dhe pozitës”.

Profeti a.s. thotë: A e dini se cila është nyja më e fortë që e mban besimin? Namazi – o i Dërguar i Allahut, i tha dikush. Namazi është një e mirë, por nuk është ai – u përgjigj Profeti a.s.! Zeqati, o Profet – i tha dikush tjetër. Zeqati është një e mirë, por nuk është ai – ia ktheu Profeti a.s.! Agjërimi, tha dikush tjetër. Agjërimi është e mirë, por nuk është ai – i tha përsëri Profeti a.s. Atëherë e pyetën se cila është ajo dhe ai na tha: Dashuria për hatër të Zotit!

Gjënë e parë që bëri Pejgamberi a.s. kur migroi nga Mekja për në Medine ishte vëllazërimi i njerëzve. Për te pasur dashuri për njerëzit duhet që ta zgjedhësh shoqërinë të jetë e dobishme e jo e dëmshme.

Gjatë kohës kur Ebu Xhehli kishte lënë Meken për një udhëtim tregtar, Utbe Bin Rebia, shoku i tij i ngushtë, duke dëgjuar për Fenë Islame dhe Profetin a.s. ishte ndikuar aq shumë saqë një ditë vendosi të shkojë tek Profeti a.s për të pranuar Islamin. Gjatë rrugës takon shokun e tij, Ebu Xhehlin. Pasi u përshëndetën, Utbe i tregoi se po shkonte te Muhamedi a.s. ta pranonte Islamin pasi i kishte hyrë në zemër. Kur e dëgjoi Ebu Xhehli këtë i tha: “Nëse nuk shkon tani te Muhamedi dhe ta pështysh në fytyrë, nuk je më shoku im dhe mos më dil më para syve”. Utbe u mendua pak dhe zgjodhi shoqërinë e vjetër dhe u nis të pështyj Profetin a.s. ashtu siç i tha shoku i tij dhe me këtë kthehet nga armiqtë më të egër të islamit. Shihni se çfarë bëri shoku i keq, e tërhoqi drejt humbjes në çastet kur ishte më pranë udhëzimit.

E përfundoj këtë temë me fjalën e urtë popullore që thotë: “Më thuaj me kë ri tët them se kush je”.

Qofshim nga ata njerëz që dashuria e Allahut mbisundon zemrat tona, gjë e cila na mungon shumë sot. Njeriu për pak interes shoqërohet me këdo: hajdutin, kriminelin, të devijuarin etj., vetëm me besimtarin shumë pak, për të mos thënë aspak.

Dibër, 26.09.2021