Mualime: Leuntina Dovolani
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut xh.sh i cili na bëri pjesëtarë të Islamit. Salavatet të përzemërta i dërgojmë shpirtit të Muhamedit s.a.v.s. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju.
Allahu xh.sh thotë në Kur’anin Fisnik: “O ju që keni besuar largohuni prej dyshimeve të shumta meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni. Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut e Allahu është Mëshirues. Ai pranon shumë pendimin (Sureja Huxhurat: 12). Përgojimi është një prej veseve më të shëmtuara dhe më të urryera, por fatkeqësisht është shumë i përhapur në mesin e njerëzve. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. i kishte pyetur shokët: “A e dini çka është përgojimi (Gibeti)? Dikush i tha: Allahu dhe Pejgamberi i tij e dinë më së miri. Tha: Përmendja nga ana juaj e diçkaje për vëllain tuaj në mungesë të tij të cilën ai e urren (që të përmendet). Pastaj i thanë: E çka nëse ajo që e themi për dikë që nuk është prezent është e vërtetë? Muhamedi a.s. tha: Nëse është ashtu si thua ti, atëherë ti e ke përgojuar atë. Ndërsa, nëse nuk është gjetur tek ai ajo që e thua, atëherë ti ke shpifur për të”.
Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm gjatë bisedave, të mos ia thonë askujt pas shpine atë që nuk ia thonë në praninë e tij. Përgojimi është i ndaluar në Islam ngase Allahu xh.sh. thotë: Mjerë për secilin që ofendon e përqesh njerëzit (Sureja Kalem: 11).
Enesi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur u ngjita në qiell, takova njerëz të cilët kishin thonj të bakrit me të cilat gërvishtnin fytyrat e tyre dhe gjokset e tyre. Kështu që unë pyeta Xhibrilin se kush janë këta. Ai ma ktheu: Ato janë që kanë ngrëne mishin e njerëzve, duke përgojuar nderet e tyre”.
Përgojimi hyn në mëkatet e mëdha. Pejgamberi a.s thotë: “Myslimani i vërtetë është ai prej të cilit janë të shpëtuar myslimanët tjerë nga gjuha dhe dora e tij”. Pjesa më e madhe e myslimanëve janë të zënë me përgojimin dhe të metat e të tjerëve e fare nuk i shohin të metat e veta pasi që njeriu në qoftë se merret me të metat e veta nuk ka kohë të merret me të tjerëve. Ebu Hureja r.a. transmeton se Pejgamberi a.s ka thënë: “Besimtari është pasqyra e besimtarit dhe myslimani është vëlla i myslimanit”.
Ashtu si është e ndaluar përgojimi për atë që e thotë, njësoj është i ndaluar edhe për atë që e dëgjon atë. Allahu xh.sh thotë: “Që ai të mos hedhë ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellës i gatshëm” (Sureja Kaf: 18). Pejgamberi a.s. thotë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit le të flasë atë që është e mirë ose le të hesht”. Transmetohet nga Enes ibn Maliku se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimi i njeriut nuk mund të jetë i drejtë deri sa të drejtohet (përmirësohet) zemra e tij. Zemra e tij nuk mund të përmirësohet deri sa të drejtohet gjuha e tij dhe njeriu nuk mund të hyjë në Xhenet përderisa fqinji i tij të mos jetë i sigurt nga problemet e tij”.
Përgojimi njeriut i sjell vetëm të liga, dobësi shpirtërore dhe e shpije atë në Xhehenem. Është sëmundje shpirtërore dhe shoqërore e cila mund të shërohet vetëm me terapi fetare.
Launtina Dovolani