Faktorët e stabilitetit në fe

Denis ef. Abdushi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit!

Falënderojmë dhe madhërojmë përzemërsisht Allahun e Lartësuar, në pronën e të Cilit janë zemrat tona dhe udhëzimi ynë. Ai i rrotullon ato siç dëshiron Ai.

Përshëndetjet dhe bekimet më të plota qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin s.a.v.s, i cili ia tregoi umetit të tij se si të përqendrohen ne rrugën e fesë edhe në rastet më të vështira e më kritike.

Jetojmë në një kohë të stërmbushur me dyshime dhe epshe. Bota është bërë si një fshat i vetëm, pasi që globalizmi ka luajtur dhe luan rolin e tij, ndërsa pengesat në rrugën e fesë së njeriut janë shtuar, aq sa në shumë raste feja konsiderohet e huaj, ndërsa ai që i qëndron besnik fesë konsiderohet si diçka e çuditshme. E gjithë kjo për t’u vërtetuar fjala profetike e të Dërguarit tonë: “Njerëzve do t’u vijë një kohë, ku ai që bën durim në fenë e tij është sikur të mban në dor një gacë.” [Transmeton Tirmidhiu]

Njëri prej shokëve të Profetit s.a.v.s. El-Mikdad ibn el-Esued thotë: “Nuk flas për dikë mirë apo keq, derisa të shikoj se si do të jetë përfundimi i tij, pas asaj që e kam dëgjuar prej Profetit s.a.v.s.” E pyetën: “E çfarë ke dëgjuar?” U përgjigj: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: ‘Zemra e birit të Ademit është më e lëvizshme se tenxherja kur është duke vluar’.” [Transmeton Ahmedi]

Nëse tema e përqendrimit në fenë e Allahut në të kaluarën ka qenë e rëndësishme, sot është më e domosdoshme dhe më e nevojshme për shkak të rrethanave. Andaj do të sjellim disa prej faktorëve të përqendrimit:

  1. Leximi dhe mësimi i Kuranit, ngase është një libër i mbushur me dritë dhe iman. Ai që kërkon udhëzimin dhe përqendrimin pranë tij, do ta gjejë, ndërsa ai që ia ka kthyer shpinën, vetëm se ka pësuar në të dy botët.

Kur njeriu lexon rastet e profetëve të Zotit në Kuran, si u kanë bërë ballë sfidave dhe si janë përballur me popujt e tyre, a thua vallë çfarë ndikimi do të ketë në zemrën e tij? A nuk do të ishte kjo një shtytje e fuqishme për të që të vazhdojë në rrugën e Islamit pa u lëkundur dhe pa u demoralizuar?!

Kurani na jep një pasqyrë të qartë të asaj se si duhet të jetë një shoqëri njerëzore në realitet, dhe nëse ne arrijmë ta perceptojmë siç duhet këtë dimension Kur’anor, a thua vallë si do të dukej shoqëria ku ne jetojmë dhe si do të dukej një individ musliman në të njëjtën shoqëri?

  • Veprat e mira:

Kryerja e veprave të mira në vazhdimësi, edhe nëse janë të pakta, është faktor i rëndësishëm dhe bazik për përqendrimin në fenë e Zotit.

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Sureja Muhamed: 7)

Do të thotë, nëse ne i qëndrojmë besnik fesë, e zbatojmë dhe e përhapim atë, Allahu do të na ndihmojë, do të na i ruajë zemrat dhe do t’i përforcojë këmbët tona.

A mendon se çfarë stabiliteti në fe do të gjesh tek ai, i cili është përtac në zbatimin e fesë, sidomos në rastet e vështirësisë!?

  • Meditimi në ngjarjet e profetëve të Zotit:

Historitë e profetëve në Kuran nuk kanë zbritur për dëfrim, apo thjesht si histori, por për të përforcuar zemrën e Profetit s.a.v.s dhe për të marrë mësim.

Jeta e profetëve është universitet në vete, andaj duhet lexuar, mësuar dhe përsiatur.

  • Lutja:

Është veçori e besimtarit të sinqertë që t’i drejtohet Zotit me këto fjalë: “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta) pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë!” (Sureja Ali Imran; 8)

Ndërsa nga ana tjetër, çdo ditë, në çdo rekat të secilit namaz themi: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (Sureja Fatiha: 6), që do të thotë se jemi të nevojshëm për udhëzim të vazhdueshëm dhe për përqendrim dhe stabilitet në fe.

5.Të qenët i bindur në premtimin e Zotit:

Premtimi i Allahut për ndihmë dhe triumf të besimtarëve patjetër se do të vijë aëherë kur ne do ta bëjmë terrenin të gatshëm.

6.Njohja e së kotës dhe mos mashtrimi me të:

Faktor i rëndësishëm për të ngelur stabil në fe është edhe njohja e ambientit dhe rrethanave që na rrethojnë dhe në të cilat jemi duke jetuar. Nuk mund të mbrohesh nga një e keqe nëse nuk e njeh atë.

Lusim Zotin e Madhërisë të na përforcojë në këtë fe dhe në këtë rrugë, deri Ditën kur do ta takojmë Atë.

Dibër, 06.10.2021