Muhamed ef. Egriu
Cili është qëllimi i të qenurit i dobishëm në gjithçka dhe i tërë asaj që përjetojmë në këtë jetë, nëse gjithçka do të mbarojë së shpejti dhe pa paralajmërim?! Përgjigjen do ta gjejmë në Kur’anin Famëlartë ku Allahu xh.sh thotë: “Qoftë i lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë. Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen për tu provuar se kush prej jush do të veprojë mirë. Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës i Madh (Sureja Mulk: 1-2). Ky Ajet Kur’anor na shtyn të kuptojmë të dobishmen në gjithë jetën tonë prej lindjes deri në vdekje, me qëllim që pas vdekjes të përfitojmë shpërblimin e duhur. I Dërguari i Allahut Muhamedi a.s. ka thënë: “Kur të vdesë njeriu i ndërpriten veprat e tij, përveç tri gjërave: Sadakaja rrjedhëse apo e vazhdueshme, dituria që ka lënë me të cilën kanë dobi të tjerët dhe nëse ka lënë fëmijë të mirë që bëjnë lutje për të” (Transmeton Muslimi).
Nëse dëshiron të vazhdosh të përfitosh vepra dhe shpërblime të pa fund në botën tjetër edhe pasi të vdesësh, atëherë ka ardhur koha që të investosh në këta tri gjëra:
- Investo në fëmijët e tu!
Mësoju atyre vepra të mira, edukatë të mirë dhe mënyrën e drejtë se si të jetojnë një jetë të përparuar e dobiprurëse dhe dashuri shpirtërore në shoqëri. Le ta kuptojnë se ata janë investimi yt kryesor dhe se ju do të bëni gjithçka për ti ndihmuar ata të kenë sukses në këtë botë dhe botën tjetër.
- Investo në sadaka rrjedhëse!
Zgjidh një investim apo një projekt i cili do të ekzistojë edhe pas vdekjes tënde, p.sh. kontribuo në ndërtimin e një xhamie, një shkolle, një rruge, një pusi, një jetimoreje, e të tjera. Nëse edhe kjo është e pa mundur për ju atëherë merr pjesë me shoqëri apo grupe të përbashkëta për të ndihmuar.
- Mëso veten!
Mëso dituri të dobishme të cilën dituri do t’ua trasosh të tjerëve, ta ndash me të tjerët atë çka do për veten tënde.
Na bëftë Allahu prej atyre që janë dobiprurës, produktiv dhe të përparuar për njerëzit në përgjithësi.
Dibër, 09.10.2021