Fjala e mirë është nder

Bujar ef. Dovolani

Falënderimi i takon Allahut xh.sh. dhe salavatet e përzemërta i dërgojmë Muhamedit a.s.
Thotë Allahu xh.sh.: “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë si pema e mirë që ka rrënjët thellë (në tokë) e degët e saj janë lartë e që me vullnetin e zotit ajo jep frutat e veta në çdo kohë. Allahu xh.sh. u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ato të mendojnë, dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka te qëndruar” (Sureja Ibrahim: 24-26).

Zoti i madhëruar i ka dhënë njeriut një përgjithësi të gjitha të mirat; e ka nderuar dhe lartësuar atë. Ai i ka dalluar njerëzit me aftësi mendore e dituri, me të shprehur dhe oratori. Shpesh herë ka momente në jetën tonë kur duhet ti këshillojmë të tjerët: njeriu e këshillon fëmijën e tij, bashkëshorten/tin, shokun, fqinjin etj. Nëse këshilla jepet në mënyrë të përshtatshme e me fjalë të mira dhe butësi, që nga fillimi rezultati është i dobishëm, mirëpo nëse ajo jepet me vrazhdësi, me fjalë jo të mira e pa kujdes rezultati do të jetë i gabuar.

Fjala e mirë mund të jetë ilaç i zemrës dhe shpirtit të njeriut, kurse fjala e keqe mund të jetë stres dhe sëmundje e zemrës së njeriut. Allahu xh.sh thotë: “Allahu i forcon ato që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër kurse mizorët Allahu i bën të humbur, Allahu punon ç’të doje (Sureja Ibrahim: 27). Ndërsa Pejgamberi a.s. thotë: “Edhe fjala e mirë është sadaka”. E në një rast tjetër: “Kush beson Allahun xh.sh. dhe Ditën e Gjykimit le të flasë mirë ose le të hesht”. Fjalën e mirë Muhamedi a.s. e ka përkufizuar si mekanizëm i jashtëzakonshëm dhe mbrojtës nga zjarri i Xhehenemit. Abi Ibn Hatimi r.a. thotë: “Ishim së bashku me Muhamedin a.s. i cili qe duke përmendur zjarrin e Xhehenemit dhe sikur u kthye me fytyrë nga zjarri, e pastaj tha: Kini frikë zjarrin, pastaj sërish u kthye ashtu që menduam se është duke shikuar në të, e pastaj tha: Mbroheni veten nga zjarri qoftë edhe me gjysmë hurme, nëse as atë nuk mund ta gjeni atëherë mbrohuni prej tij me fjalë të mirë”.

Muhamedi a.s ishte shëmbëlltyra e fjalës dhe e sjelljes së mirë. Ai u drejtohej gjithmonë njerëzve në mënyrë më të mirë dhe kur kishte të bënte me kundërshtarët mohues të fjalës së Allahut, ai prapë se prapë u fliste fjalë të mira. Allahu xh.sh. thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut” (Sureja Ahzab: 21).Pejgamberi a.s. kishte dëgjuar se Abdullah Ibn Omeri r.a. kishte anashkaluar namazin e natës. Një ditë ai vendosi ta këshillonte Abdullahun për ta falur at namaz. Pejgamberi nuk e thirri për ti thënë: “O Abdullah fale namazin e natës” ose shprehjen tonë të zakonshme: A prap se fale namazin e natës?”- por ai e këshilloi në formë sugjerimi duke i thënë: “Sa i mirë është Abdullahu, po sikur ta falte edhe namazin e natës”.

Pejgamberi a.s ka thënë: Myslimani i vërtetë është ai prej të cilit janë të shpëtuar (të qetë) muslimanët e tjerë nga gjuha dhe dora e tij (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). Ka shumë njerëz që shumë u kushtojnë rëndësi rrobave të tyre, dukjes së tyre, veturave të tyre dhe nuk u kushtojnë rëndësi fjalëve të tyre të cilët mund të jenë ilaç shërues apo helm shkatërrues. Fjala e urtë popullore thotë: “Gjuha nxjerr mjaltë dhe helm”, – prandaj sot më shumë kemi nevojë për fjalë të mirë dhe këshillë të sinqertë.

Po ju pyes: A ka dikush që e dëshiron zjarrin e Xhehenemit? Askush. A dëshironi të mbroheni prej tij? – Pa dyshim që po. Vallë pas një premtimi të këtillë nga Muhamedi a.s. nëse nuk ke mundësi të tjera, atëherë gjuha dhe fjala e mirë duhet të përdoren në mënyrë më të mirë, më të bukur dhe më konstruktive, me qëllim që të ruhemi nga Xhehenemi përvëlues dhe të fitojmë shpërblime nga Allahu i Madhëruar.

Dibër, 14.10.2021