Shkaqet e hyrjes në Xhenet

Denis ef. Abdushi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit!

Falënderimet e plota i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, i cili e bërë Xhenetin vendqëndrim të përhershëm për besimtarët dhe ua tregoi dhe lehtësoi rrugën drejt Tij.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë dhe me meritë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij.

Ai që lexon Librin e Zotit, Kur’anin dhe hadithet e të Dërguarit s.a.v.s. do të vërejë se në mesin e gjërave të shumta për të cilat flitet në ta është edhe Xheneti i Allahut. Njerëzit nxiten dhe stimulohen për të shpejtuar dhe vrapuar drejt tij dhe për të punuar për ta fituar atë.

Zoti ynë i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij na e kanë treguar rrugën e arritjes në Xhenet në mënyrën më të qartë dhe formën më të bukur dhe fatmirësisht Allahu ka bërë shkaqe të shumta dhe të ndryshme, nëpërmjet të cilëve njeriu mund të arrijë të fitojë Xhenetin. Prej tyre shkurtimisht do të përmendim

1. Besimi në Allahun dhe njëkohësisht shkaku esencial dhe parimi themelor për hyrjen në Xhenet!

I Dërguari i Zotit, siç qëndron në hadithin e saktë, e urdhëroi Omerin r.a. të bëjë thirrje ndër njerëz se: “Nuk hyn në Xhenet askush tjetër veçse një shpirt besimtar”. Do të thotë se në Xhenet futet vetëm se myslimani, ndërsa ai që nuk ka përqafuar besimin Islam, ai do të jetë përherë në Zjarr.

2. Të qenurit besimdrejtë, siç ishte Ibrahimi a.s., ku njeriu të gjitha llojet e adhurimit, pa përjashtim, ia drejton dhe ia kushton vetëm se Allahut të denjë për adhurim!

Në hadithin e saktë qëndron: “Kush dëshmon se nuk adhurohet me të drejtë askush tjetër veçse Allahut, i Vetëm dhe i pashoq dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij; se Isai është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij dhe Fjala e Tij që ia hodhi Merjemes dhe shpirt prej Tij; se Xheneti është i vërtetë dhe se Zjarri është i vërtetë, Allahu do ta fusë në Xhenet prej cilës derë prej tetë dyerve të tij të dëshirojë ai (personi).” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi

3. Bindja dhe nënshtrimi i plotë ndaj Muhamedit a.s.!

Zoti i Madhëruar bindjen dhe nënshtrimin e plotë ndaj të Dërguarit të fundit e ka bërë kusht për shpëtimin e njeriut në botën tjetër.

I Dërguari i Zotit thotë: “I gjithë umeti (populli) im do të hyjë në Xhenet, veç atij që refuzon”. E pyetën: “E kush është ai që rrefuzon!” Ai tha: “Kush më nënshtrohet mua, do të hyjë në Xhenet, ndërsa kush më kundërshton, ka refuzuar.” (Transmeton Buhariu)

4. Falja e namazit dhe përkujdesja për të

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Mes njeriut dhe idhujtarisë dhe mohimit është lënia e namazit.” (Muslimi)

Ndërsa Allahu i Lartësuar në disa vende në Kur’an lëvdon atë që përkujdeset dhe ruan namazin e tij, si në fillimin e sures Mu’minun.

5. Shtyrja e afatit të borxhliut nëse është në vështirësi dhe falja e borxhit sipas mundësive:

I Dërguari i Zotit na rrëfen: “Një njeri nuk kishte punuar asgjë të mirë. Ai u jepte hua njerëzve dhe personit ndërmjetës të tij i thoshte: ‘Merr prej atij që ka mundësi, ndërsa lëre atë që është në vështirësi dhe tejkaloje, ndoshta Allahu do të na falë neve’. Kur vdiq, Allahu i tha atij: ‘A ke bërë ndonjë të mirë?’ Ai tha: ‘Jo. Por kisha një punëtor dhe u jepja hua njerëzve. Kur e dërgoja atë për t’ua marrë paratë, i thoja: merr prej atij që ka mundësi dhe lërë atë që është në vështirësi dhe tejkaloje, ndoshta Allahu do të na falë neve.” Allahu tha: ‘Ta kam falur”.

6. Veprat e mira në përgjithësi!

Kjo derë është shumë e gjerë në saje të mirësisë dhe mëshirës së Zotit: sexhdet e shumta, shkuarja në xhami, abdesi, ndërtimi dhe përkujdesja për xhamitë, morali i mirë, shprehjet e ëmbla dhe të buta, përkujdesja për jetimët, ndihma ndaj nevojtarit, bamirësia ndaj njerëzve dhe shumë e shumë vepra tjera, të cilat nuk numërohen dot. Por, duke pasur gjithmonë parasysh faktin që gjërat në fjalë nuk bëjnë dobi në mungesë të parimit themelor esencial: besimi në Zot dhe besimi në të Dërguarin e Tij.

Allahu na bëftë prej atyre që vrapojnë drejt kënaqësisë së Zotit dhe drejt Xhenetit të Tij. Amin!

Dibër, 19.10.2021