Mr. Nasuf ef. Strikçani
Dashuria më e vlefshme në jetë është dashuria ndaj Allahut dhe në emër të Tij. Allahu është absolutisht i mirë dhe prej Tij vjen vetëm mirë. Ne jemi të obliguar ta duam Atë si Zot dhe ta duam çdo gjë që ekziston në botë. Të tjerat i duam për shkak të së mirës dhe vlerave që i posedojnë, e ajo është edhe dashuri dhe fikë respekt, e cila do të na sjellë dobi në këtë botë, e veçanërisht në botën tjetër. Edhe dashuria ndaj personalitetit të gjinisë tjetër (gruas apo burrit) duhet të jetë për hir të Allahut, gjegjësisht për shkak të cilësive dhe sjelljeve të moralshme që i ka ai apo ajo, dhe të cilat Allahu i pëlqen. Buhariu dhe Muslimi e kanë koleksionuar një hadith në të cilin Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush i ka tre gjëra, do ta shijon ëmbëlsinë e imanit: Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur nga çdo gjë, ta do tjetrin vetëm për hir të Allahut dhe të urren çdo gjë që e kthen në pabesim (kufër)”.
Kjo dashuri është një ndjenjë e sinqertë në të cilën nuk ka papastërti të interesit dhe pasioneve, nuk rrjedh nga lidhje familjare, gjithashtu nuk është interes nga ndonjë shërbim. Ajo është dashuri për shkak dhe për dashuri në emër të Allahut mes dy besimtarëve, e këto janë morale të cilat janë të dobishme si për gjithë umetin ashtu edhe për gjithë njerëzimin.
“Të dua në emër të Allahut” – fjalë të mëdhaja dhe shumë të bukura të cilat lehtë shqiptohen. Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a se Muhamedi a.s. ka thënë: ,,Myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i sjell padrejtësi, nuk e gënjen, e as nuk e nënçmon. Devotshmëria është këtu (e preku tre herë gjoksin e tij) e për njeriun dëm më i mjaftueshëm për të është ta nënçmon një mysliman. Për çdo mysliman të shenjta janë nderi, pasuria dhe gjaku i myslimanit tjetër (Transmeton Muslimi dhe Tirmidhiu). Nga hadithi i lartë cituar shihet se myslimani nuk guxon ta gënjejë myslimanin, pra nuk guxon ta gënjejë se e do atë në emër të Allahut, nëse nuk e do, në të vërtetë. Mendoj se sot shumë myslimanë nuk janë në vetëdije, sepse sikur të ishte ashtu nuk do të kishte kaq shumë fitne dhe ngatërresa mes nesh si dhe një sëmundje aq e përhapur në gjuhët dhe në zemrat siç është gibeti, betimi i rrejshëm, përhapja e fjalëve të huaja, etj.
Padyshim, pak njerëz e dinë vleftën e dashurisë në emër të Allahut. Ata janë ata të cilët që dashurinë në krijesat e Zotit e shfrytëzojnë për të arritur dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut. Recetën për të arritur dashurinë e Allahut, fshihet në legjendën të cilën e përshkruan një njeri i cili e ka vizituar vëllain e tij, i cili ka jetuar në një tjetër fshat, kështu që Allahu xh.sh ka dërguar një melek, dhe e ka pyetur për ku është nisur.
,,Ku ke nisur? Ai u përgjigj: Shkoj ta vizitoj vëllain tim. Meleku i tha: A keni mes jush ndonjë lidhje familjare? Njeriu i tha: Jo. A të ka bërë ai ndonjë të mirë dhe në atë dëshiron që t’ia kthesh të mirën? – e pyeti meleku. Njeriu tha: Cili është qëllimi i vizitës së juaj tek mua? Vazhdoi njeriu – e dua në emër të Allahut xh.sh, në çka meleku i tha: Gëzohu, sepse Ai në emër të të cilit dashuron më dërgoi të të lajmërojë që të gëzohesh se Allahu të do sepse ti e do njeriun e Tij. (Transmeton Muslimi) Gjithashtu i Dërguari i Allahutxh.sh Muhamedi a.s. na lajmëron kështu: “E merituan dashurinë Time, ata që duhen në emër Tim, ata të cilët ulen në emër Tim, ata të cilët vizitohen për shkakun Tim dhe ata që ndihmohen për shkakun Tim”.(Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhi)
Të nderuar besimtarë! Allahu xh.sh. na ofron vend të sigurtë në Ditën e Gjykimit, kur të gjithë tjerët do të humbin dhe do të vuajnë, na ofron flladin e Tij ku nuk do të ketë tjetër fllad, na ofron dashuri të pa mbaruar për Atë që nuk vdes kurrë, në Atë që falën dhe shpërblen, kurse shumë të tjerë ia kthejnë në mosbesim duke treguar armiqësi ndaj robërve të Allahut, duke bërë padrejtësi, nënçmim dhe duke i sulmuar robërit e Allahut në nder, pasuri dhe në gjakun e tij, për të cilën Muhamedi a.s. na ka lajmëruar duke thënë: “Betohem në Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nuk do të hyni në Xhenet derisa nuk besoni, e nuk do të besoni derisa nuk duheni. A doni t’ju tregoj një diçka që nëse e veproni do të duheni? Përhapeni selamin (paqen) ndërmjet jush” (Transmeton Muslimi).
Të nderuar! Duhet të mësohemi që të duam ata që janë rreth nesh, duhet gjithashtu që të shfrytëzojmë çdo dhunti të Allahut xh.sh që të arrimë kënaqësinë e Allahut. Në emër të Allahu xh.sh ta duam familjen tonë që ta kemi më lehtë kalimin e sprovave të cilat mund të na ndodhin në jetë, me dashurinë mes bashkëshortëve mund të arrihet respektimi i të drejtave dhe obligimeve mes bashkëshortëve, të duam edhe krijesat tjera që nuk janë njerëz gjithashtu në emër të Allahut xh.sh, sepse edhe ata janë krijesa të Allahut xh.sh dhe të cilat në raste të veçanta dinë më mirë të madhërojnë Zotin.
Të respektuar! Mos deklarojmë dashuri në emër të Allahut xh.sh. atje ku nuk ka, sepse dyfytyrësia është cilësi e urrejtur me të cilën nuk mund të arrihet në Xhenet, por duhet të mësojmë zemrat tona që të vërtetojnë atë flasin gjuhët tona, dhe me këtë do të fitojmë atë që Allahu xh.sh. na ka garantuar, e ajo është mbrojtje kur të tjerët do të jenë të pambrojtur, mirëqenie dhe paqe kur të tjerët do të jenë të mërzitur dhe të preokupuar. Këto janë premtime të Atij i cili i mban premtimet e dhëna. E gjithë kjo argumentohet nga thënia e Muhamedit a.s. që e transmeton Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i Zotit ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit Allahu do të thotë: Ku janë ata që janë dashur në emër Tim? Sot do ti çoj në flladin Tim, tjetër fllad përveç flladit Tim nuk do të ketë (Transmeton Muslimi).
Për të dashur njëri tjetrin, duhet që të ndihmohemi mes veti, ashtu sikur edhe të tjerët që ndihmohen mes veti në të keq dhe në dëm, madje akoma më shumë. Kjo më mirë shihet në ajetin 73 të sures Enfal ku Allahu xh.sh thotë: “Ata që e mohuan të vërtetën janë miq të njëri tjetrit, e nëse nuk e bëni atë (të ndihmoni e të kujdeseni për njëri tjetrin) do të bëhet trazirë dhe rrëmujë e madhe në tokë”.
Imam Taberiu thotë: “O besimtarë! Nëse nuk ndihmoheni njëri me tjetrin, do të ndodhin komplote dhe shumë çrregullime në tokë. Ndërsa Ibën Kethiri thotë: Nëse shoqëroheni me jobesimtarët dhe qëndroni në anë të tyre, ndërsa e braktisni miqësinë me besimtarët, do të ndodhin komplote mes njerëzve, përzierje e myslimanëve me jomyslimanët dhe do të vjen deri në çrregullim të madh me pasoja të mëdha”.
Ne duhet të mundohemi që të arrijmë shkallë të larta dhe ti stimulojmë edhe të tjerët të përhapin ndjenja dhe dashuri vëllazërore në emër të Zotit, gjithashtu të tregojmë rrezikun dhe dëmin që sjellin interesi dhe shfrytëzimi i tjerëve. Nëse nuk mundemi këtë ta bëjmë, atëherë të paktën të mundohemi që të largojmë ndjenjat e përçmimit ndaj myslimanëve ku Allahu xh.sh thotë: “Zoti ynë! Falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona as çfarë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i Butë, je Mëshirue (Sureja Hashër: 10)
Dhe në fund të potencojmë se Islami kërkon nga ne që zemrat tona të jenë të pastra nga disa sëmundje për të cilat Muhamedi a.s. ka thënë: “Mes jush është paraqitur sëmundje e cila është përhapur në popujt para jush; Zilia dhe urrejtja, ndërsa urrejtja është e rrezikshme si zhileti (brisku).Unë nuk them se ajo e rruan flokun, por ajo e shkatërron fenë (Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhi).
Dibër, 22.10.2021