Interpretim i ajetit të Israsë dhe Mi’raxhit

Marrë nga Altafsir.com / Përkthyer nga gjuha angleze

  1. Tefsirul Xhelalejni

Autor: Jalal ad-Din al-Maḥalli

Për këtë ngjarje Profeti a.s. ka thënë:“Më sollën Burakun, një kafshë të bardhë, më të madhe se një gomar, por më të vogël se një mushkë; ishte në gjendje të vendoste thundrën e saj prapa, drejt ekstremitetit të saj në shpejtësi; dhe kështu unë hipa në të. U nis duke më transportuar derisa arrita në Shtëpinë e Shenjtë të Kudusit. Aty e lidha kafshën në vendin ku edhe profetët e tjerë i lidhnin kafshët e tyre. Unë pastaj hyra brenda dhe fala dy rekate namaz brenda saj. Kur dola jashtë, meleku Xhibril a.s. erdhi tek unë me një enë me verë dhe një enë me qumësht dhe kështu unë zgjodha qumështin. Xhibrili a.s. më tha: Keni bërë veprimin e duhur duke zgjedhur pastërtinë (fitren) e natyrës fillestare. Ne pastaj u ngjitëm në qiellin e kësaj bote, kur Xhibrili a.s. kërkoi të lejohej të hynte brenda. Dikush pyeti: Kush jeni ju? Ai u përgjigj: Xhibrili! Dhe kush është me ty? – Muhamedi (a.s.) -u përgjigj ai. A është ai i Dërguar? – Po. Pastaj na u hap dera dhe ja: Adami a.s. qëndronte para meje; Ai më përshëndeti dhe u lut për mirëqenien time.

Pastaj u ngjitëm në qiellin e dytë dhe Xhibrili a.s. kërkoi që të na lejojnë të futemi. Dikush tjetër pyeti: Kush je ti? – Ai u përgjigj: Xhibrili! – Dhe kush është me ty? – Muhamedi (a.s.) – tha ai. “A është i thirrur ai? – Po, ai është i thirrur. Dhe na u hap dhe ja: ishin dy kushërinjtë nga nëna: Uzejri a.s. dhe Isai a.s. Ata më përshëndetën dhe u lutën për mirëqenien time.

Pastaj u ngjitëm në qiellin e tretë dhe Xhibrili kërkoi që të na lejonin të hyjmë. Dikush pyeti: Kush jeni ju? – Ai u përgjigj: Xhibrili! – Dhe kush është me ty? – Muhamedi a.s.! – U përgjigj ai. A është ai i dërguar? – u pyet. – Po ai është i dërguar. Dhe na u hap dhe ja: ishte Jusufi a.s. që qëndronte para meje dhe me të vërtetë atij i ishte dhënë gjysma e gjithë bukurisë së botës! Ai më përshëndeti dhe u lut për mirëqenien time.

Pastaj u ngjitëm në qiellin e katërt dhe Xhibrili a.s. kërkoi që të na lejonin të hynim brenda. Dikush pyeti: Kush jeni ju? – Ai u përgjigj: Xhibrili – Dhe kush është me ty? – Muhamedi a.s.! – tha ai. – A është ai i thirrur – u pyet! – Po është i thirrur! – U përgjigj ai. Dhe na u hap dhe ja: Para meje ishte Idrizi a.s. Ai më përshëndeti dhe u lut për mirëqenien time.

Pastaj u ngjitëm në qiellin e pestë dhe Xhibrili kërkoi që të na lejonin të futemi. Dikush pyeti: Kush jeni ju? – Ai u përgjigj: Xhibrili. – Dhe kush është me ty? – u pyet. Muhamedi a.s. – u përgjigj ai. – A është ai i dërguar? – u tha! – Po ai është i dërguar – u përgjigj ai. Dhe na u hap dhe ja: Atje para meje ishte Haruni a.s.. Ai më përshëndeti dhe u lut për mirëqenien time.

Pastaj u ngjitëm në qiellin e gjashtë dhe Xhibrili a.s. kërkoi që të na lejonin të futemi. Dikush pyeti: Kush jeni ju? Ai u përgjigj: Xhibrili! – Dhe kush është me ty? – Muhamedi a.s. – tha ai. – A është i thirrur ai? – u pyet. – Po, ai është i thirrur. Dhe na u hap dhe ja: Atje para meje ishte Musai a.s. Ai më përshëndeti dhe u lut për mirëqenien time.

Pastaj u ngjitëm në qiellin e shtatë dhe Xhibrili a.s. kërkoi që të na lejonin të futemi. Dikush pyeti: Kush jeni ju? – Ai u përgjigj: Xhibrili! – Dhe kush është me ty? – Muhamedi a.s.! – tha ai. – A është thirrur ai? – u pyet. – Po është thirrur! – u përgjigj ai. Dhe na u hap dhe ja: Atje para meje ishte Ibrahimi a.s. i mbështetur në Shtëpinë e Shpeshtë – Bejtul Ma‘mur në të cilën hyjnë në të 70 mij engjëj çdo ditë për mos u kthyer më atje.

Më pas më çuan në Sidretul Munteha dhe ja: Gjethet e saj i ngjasonin veshëve të elefantëve, ndërsa frutat e saj ishin në madhësi të shtambave. Kur ndonjë urdhër i Zotit e mbështjellte atë, ajo ndryshonte formë! Asnjë nga krijesat e Zotit nuk mund ta përshkruaj atë për gjithë bukurinë e saj”.

Profeti a.s. vazhdoi:

“Zoti pastaj më shpalli atë që më shpalli dhe më përshkroi pesëdhjetë namaze çdo ditë dhe natë. Unë pastaj zbrita, derisa arrita Musain a.s. dhe ai më tha: Çfarë të ka urdhëruar Zoti për popullin tënd? – Unë thashë: Pesëdhjetë namaze çdo ditë dhe natë. Ai ma ktheu: Kthehu tek Zoti dhe kërko nga Ai një lehtësim për popullin tënd sepse ato nuk do të ketë aftësinë për ta bërë! Unë e kam provuar me Bijtë e Izraelit dhe kam përvojë që ata të mos jenë në lartësinë e detyrës. Pastaj u ktheva te Zoti im dhe i thashë: Zoti im! Lehtëso urdhëresën për popullin tim! – dhe kështu Ai e zvogëloi atë për hatrin tim me pesë namaze më pak. Unë u ktheva te Musai a.s. i cili më pyeti: Çfarë bëre? – Unë i thashë atij: Zoti e zvogëloi për mua me pesë namaze më pak, – për të cilën ai tha: Populli juaj nuk do të ketë kapacitet për këtë, kështu që kthehu tek Zoti dhe kërko nga Ai një lehtësim për ta. Kështu që unë vazhdoja të shkoja e të kthehesha midis Zotit tim dhe Musait a.s. duke e zvogëluar atë me pesë namaze më pak çdo herë që shkoja, derisa Zoti më tha:

O Muhamed a.s.! Ato do të jenë pesë namaze çdo ditë dhe natë, ku çdo namaz do të ketë shpërblimin e dhjetë namazeve; që pastaj bëjnë pesëdhjetë namaze.

Kushdo që synon një vepër të mirë, por nuk e kryen atë, Unë do ta llogaris për të si një të bërë; dhe nëse ai e kryen atë, Unë do ta llogaris për të si dhjetë; dhe kushdo që synon një vepër të keqe por nuk e kryen atë, nuk do të regjistrohet kundër tij; por nëse ai e kryen atë, do të regjistrohet vetëm si një vepër e keqe.

Unë pastaj zbrita derisa arrita Musain a.s.. dhe e informova atë, ndërsa ai përsëri më tha: Kthehu tek Zoti yt dhe kërkoji Atij lehtësim për popullin tënd, sepse ata nuk do të ketë kapacitetin edhe për këtë! – dhe unë i thashë: Unë jam kthyer tek Zoti im aq shumë herë sa kam turp të shkoj përsëri”.

Ky hadith është raportuar nga dy Shejhët el-Buhari dhe Muslim; por formulimi i këtij versioni është ai i raportit në Sahihul Muslim.

“Me të vërtetë Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi” – do të thotë se Ai është i Gjithëdijshëm për thëniet dhe veprat e Profetit të Tij. Zoti ishte i dhembshur ndaj tij duke e transportuar atë në udhëtimin e natës, që përbënte takimin e tij me profetët e tjerë gjatë ngjitjes së tij në qiell, shikimin e mrekullive të Mbretërisë Hyjnore dhe lidhjen e Tij të lartësuar me Muhamedin a.s.

Ajo që është udhëzuese për përmendjen e fjalës “lejlen” – që domethënë, brenda natën, është se ekziston një tregues i shkurtësisë së kohëzgjatjes së tij nga Xhamia e Shenjtë që është në Meke, në Xhaminë më të Largët, që është Shtëpia e Shenjtë e Kudusit në Jerusalem.

Hakim el-Najsaburi raporton në Mustadrekun e tij me anë të Ibn Abasit se ai tha se Profeti ka thënë:

“Unë e pashë Zotin tim të Plotfuqishëm dhe Madhështor”.

2. Tanwir al Miqbas min Tafsir ibn Abbas

Është një tefsir që i atribuohet Abd-Allah ibn Abasit, i tubuar nga Abu Tahir Muhammad ibn Yaqub al-Fayruz Aabadi.

Ibn ‘Abasi tha në lidhje me interpretimin e thënies së Allahut xh.sh. “I Lavdëruar qoftë Allahu”, thotë: Ai është shumë i lartësuar dhe i shfajësuar nga të paturit fëmijë apo partner.

Ai i Cili mbajti shërbëtorin e Tij natën – në fillim të natës, nga Vendi i Paprekshëm i Adhurimit – nga Zona e Shenjtë, gjegjësisht nga shtëpia e Ummu Hani, vajza e Ebu Talib, – në Vendin e Largët të Adhurimit – shumë larg, por afër qiellit, d.m.th. Xhamia e Kudusit në Jerusalem, – lagjjen e së cilës e kemi bekuar – me ujë, pemë dhe fruta, – që Ne t’i tregojmë Atij nga argumentet Tona! – apo nga mrekullitë Tona, sepse të gjitha gjërat që Ai pa atë natë ishin mrekulli të Allahut. – Ja! Ai dhe vetëm Ai, është më i Afërti – nga ato që thonë Kurejshët,  dhe Shikuesi – Ai i sheh ata, ashtu siç sheh robin e Tij, Muhamedin (a.s.).

3. Kashani Tafsir:

Sheikh Abdulrazzaq al-Kashani

Lavdi qoftë Ai që e mbajti, dhe e ngriti atë – mbi njollat e shtojcave materiale dhe mangësitë e ngjashmërisë, nga gjuha e gjendjes së shkëputjes dhe përsosjes, në stacionin e shërbëtorisë, ku nuk ka asnjë fuqi të asgjësimit të çfarëdo gjëje! – natën – domethënë në errësirën e mbulesave trupore dhe shtojcave të natyrës fizike – pasi ngritja dhe lartësimi mund të bëhen vetëm me anë të trupit! – nga Xhamia e Shenjtë – domethënë nga stacioni i zemrës së shenjtë që atje kryen pelegrinazhin – në Xhaminë më të Largët – e cila është stacioni i shpirtit, që është më i largëti nga bota e trupave fizikë. Në mënyrë që të mund të kuptoni fjalët e Tij që thotë: “Ne t’i tregojmë atij disa nga shenjat Tona” – si dëshmi e atributeve. Mos harroni atë që përmendëm më parë në lidhje me faktin që korrigjimi i secilit stacion (botë) mund të bëhet vetëm pasi të ngriheni në stacionin mbi të. Sepse edhe nëse përsiatja e vetë-zbulimit të atributeve duhet të ndodhë në stacionin e zemrës, thelbi që është kualifikuar nga këto atribute, mund të dëshmohet vetëm në përsosjen e saj, përmes atributeve të Madhërisë dhe Bukurisë, kur ngrihen në stacionin e shpirtit.

4. Kashf Al-Asrar Tafsir

Rashid al-Din Maybudi:

Lavdia i takon Atij që e çoi shërbëtorin e Tij, natën, nga Xhamia e Shenjtë në Xhaminë më të Largët. Në fillim të kësaj sure Allahu e lavdëroi Veten e Tij, pastaj Ai zbuloi fisnikërinë e Muhamedit a.s. dhe zbuloi shkëlqimin e tij mbi krijesat e tjera. Së pari Ai dëshmoi për pafajësinë e Tij dhe përmendi pastërtinë e Tij. Ai Vetë e lavdëroi Veten dhe u tregoi krijesave fuqinë e Tij të përsosur. Besimtarët përmes ngjarjes së Mi’raxhit do ta dinë se mrekullitë e fuqisë nuk kanë asnjë limit dhe se kjo gjendje nuk është e çuditshme, duke pasur parasysh fuqinë e përsosur të Plotfuqishmit.

Një kuptim tjetër është shfaqja e fisnikërisë së Muhamedit a.s. dhe shkëlqyeshmëria e tij mbi krijesat tjera. Njerëzit në mbarë botën me këtë rast, do ta dinë që stacioni i tij është ai i atyre që rrëmbehen në tapetin e shoqërisë, jo ai i udhëtarëve në stacionet e shërbimit. Ai që është rrëmbyer po tërhiqet nga i Vërteti, ndërsa udhëtari është ai që ka vendosur të udhëton me vetë dëshirë. Kur dikush po tërhiqet nga i Vërteti, ai është në rrugën e sekreteve të pëshpëritura dhe gëzimit dhe është i përshtatshëm për dhurim dhe ekzaltim bujar. Por kur dikush është duke udhëtuar vetë, ai vazhdon të dëshirojë të fitojë hyrjen në pragun e shërbimit, duke kërkuar një gradë që të paraqitet për veten e tij. I pari është stacioni i Muhamedit a.s., i dashuri i të Vërtetit dhe i dyti është stacioni i Musait a.s., mikut bashkëbisedues të së Vërtetit.

A nuk e shihni se si Allahu tha për Musain a.s.: “Musai erdhi në kohën tonë të caktuar” [7: 143], por Ai tha për Muhamedin a.s.: “I cili e mori shërbëtorin e Tij natën”. Musai a.s. ishte një ardhës, duke udhëtuar vetë, ndërsa Muhamedi a.s. u mor, u “rrëmbye” nga Allahu. Ai që ecën me Të nuk është si ai që ecën drejt Tij dhe ai tek i cili vjen zbulimi thelbësor i fshehtë nuk është si ai që thirret tek Ai. Ai që po udhëtonte, mungonte në distancë, kështu që pas ndarjes ai gjeti bashkimin. Ai që u mor ishte në lartësinë e bashkimit prej në fillim, dhe ai mori mantelin e bujarisë në fund.

Pastaj Ai thotë: “Shërbëtorin (robin) e Tij, natën”. Kur Ai e çon shërbëtorin e Tij në praninë e sekreteve dhe gëzimit të pëshpëritur, Ai e merr atë natën, sepse nata është vendi i takimit të njohësve, momenti i izolimit të miqve, vendi i pushimit të vjetërsisë dhe koha e përkëdheljes së Zotit ndaj robërve. Kur të vijë nata, miqtë e gjejnë momentin e veçimit, sepse vrojtuesit janë në gjumë dhe armiqtë larg: shtëpia është bosh dhe shoku është duke pritur. Ndër raportet për Davudin a.s. është edhe kjo: “O Davud, ai që pretendon se më do Mua është gënjeshtar nëse vjen nata, dhe ai shkon të flejë në prezencën Time”.

“O Muhamed! Kushdo që duron vuajtjet do të gjejë më pas një thesar. Unë të urdhërova ty: “Dhe natën, mbaje vigjilencën si një akt të veçantë vetëm për ty! [17:79] Çohu natën dhe falu. ‘ Isha Unë Ai që ju dha urdhër të ngriheni natën, të vini dhe të pëshpëritni në fshehtësi me Mua. Kështu që ju e kuptuat se Unë nuk i lë pas dore vuajtjet e askujt dhe i përcjell të gjithë në atë që është e përshtatshme për të.”

Është bërë gjithashtu një pikë tjetër delikate: Zoti i Botëve pohoi për Muhamedin a.s. një akt të përshtatshëm për shërbëtorësinë e tij dhe Ai foli për veprimin e Tij si të përshtatshëm për Zotërinë e Tij:

  • Akti i Muhamedit a.s. ishte ngjitje. Allahu xh.sh. thotë: I cili e çoi robin e Tij natën nga Xhamia e Shenjtë në Xhaminë më të Largët.
  • Akti i Zotit ishte “zbritje”: Ai zbret çdo natë në qiellin më të ulët. Ngjitja e Muhamedit a.s. ishte e përshtatshme për natyrën e tij të vdekshme, dhe “zbritja” e Zotit ishte e përshtatshme për hyjninë e Tij dhe e përshtatshme për thelbin dhe atributet e Tij. Pastaj Allahu bëri që koha e zbritjes së Tij të ishte natë dhe Ai dëshiroi që edhe ngjitja e Muhamedit a.s. të ishte natën, sepse Ai e quajti Muhamedin a.s.: të dashurin e Tij – dhe kuptimi i dashurisë nuk është asgjë tjetër përveç përputhjes dhe pajtueshmërisë.

Nga Xhamia e Shenjtë në Xhaminë më të Largët – Ai u dërgua nga Xhamia e Shenjtë në Xhaminë më të Largët dhe nga Xhamia më e Largët në Sidretul Munteha (pema e kufirit më të largët), kufiri përfundimtar dhe stacioni më i lartë, në mënyrë që ai të shihte gjendjet dhe tmerret e Ringjalljes ballë për ballë. Në këtë mënyrë do të vendosen bazat e ndërmjetësimit.

Nesër kur të ndodhë Ringjallja, drejtësia dhe forca e jashtëzakonshme e Plotëfuqishmit do të rrethojë krijesat. Me frikë dhe tmerr nga ringjallja, krijesat, pasi të kenë provuar tmerrin, do të mbyllen në vetvete, të hutuar, të tmerruar sepse do të shohin atë që nuk e kishin parë kurrë më parë. Ata nuk do të largohen nga hallet e tyre dhe të punojnë në punën e dikujt tjetër. Të gjithë do të thonë: “Shpirti im! Shpirti im!” Por Muhamedit a.s. tashmë i është treguar sundimi, shenjat më të mëdhaja dhe mrekullitë e së Padukshmes. Ai nuk do të ketë frikë dhe mrekullia dhe ashpërsia e asaj dite, nuk do të ndikojnë tek ai. Ai do ta hap zemrën e tij për ndërmjetësimin e umetit. Ai do të thotë: Umeti im – Populli im!

Nëse doni një shembull të kësaj gjendjeje, merrni parasysh veprën e Musait a.s.: Ishte paracaktuar që Musai a.s. dhe ushtria e armikut të përballeshin një ditë. Magjistarët do të bënin një magji të jashtëzakonshme dhe shkopi i Musait a.s. do të bëhej një gjarpër për ta gëlltitur atë magji. Por para asaj dite, në prani të lutjes së pëshpëritur me Zotin e Botëve, iu tha: O Musa! Hidhe shkopin tënd!” [7: 117]  – Musai a.s. hodhi shkopin dhe ajo u bë një gjarpër. Musai a.s. u frikësua nga kjo dhe Zoti i Lartësuar i tha: O Musa: Merre dhe mos ki frikë! [20:21] – Prandaj ditën kur ai ishte ballë për ballë me Faraonin dhe shkopi u bë një gjarpër, të gjithë ata që e panë atë skenë kishin frikë, sepse nuk e kishin parë kurrë më parë, por Musai a.s. nuk kishte frikë, sepse e kishte parë një herë më parë.

Është thënë gjithashtu: “I Vërteti e dërgoi në mënyrë që njerëzit të mësonin adhurimin prej tij. Pastaj Ai e ngriti atë në qiell në mënyrë që engjëjt të mësonin adhurimet e sjellshme prej tij.

Dëgjoni një hollësi të mrekullueshme: Adamit a.s. i është thënë: Zbrit! [2:36] ndërsa Muhamedit a.s. iu tha: Ngjitu!

Sikur Allahu i thotë: O Adem! Zbrit në tokë në mënyrë që pluhuri i botës të mund të qetësohet për shkak të veshjes madhështore të sulltanatit tuaj.

Ndërsa Muhamedi a.s. i thotë: O Muhamed! Ngjitu në qiell që maja e sferave të zbukurohet nga bukuria e soditjes sate. O Muhamed! Sekreti Im në thënien ndaj babait tënd: Zbrit – Ishte që Unë të them ty: Ngjitu! – Ulu në drejtim të aspiratës dhe bëje majën e sferave qiellore qilim (dhe jo pluhur) për thembrat e këmbëve tuaja të bekuara. Udhëto larg trupit fizik dhe shpirtëror dhe më shiko Mua. Sill në praninë Time dhuratën e pastër të thënies: Përshëndetjet, gjërat e bekuara, lutjet dhe gjërat e mira i përkasin Zotit!

Pastaj gota e tej mbushur e fatit të mirë të thënies: Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ty, o Profet! – do t’ju dërgohet nga dora e kupëmbajtësit të Besëlidhjes. Merre me gishtat e pranimit dhe pije atë! Dhe, si një fisnik, derdh një gllënjkë në tokën e zemrave të umetit, sepse, siç kanë thënë fisnikët: Ne pimë dhe derdhëm mbi tokë pjesën e saj, sepse toka ka një pjesë nga kupa e fisnikëve.

Xhafer es-Sadiku ka thënë: Kur i Dashuri iu afrua në afërsi të madhe, frika e madhe e mposhti atë, kështu që Zoti i tij e trajtoi atë me butësinë më të madhe, sepse frika më e madhe durohet vetëm nga butësia e madhe.

Natën e Mi’raxhit, kur Zoti zbuloi praninë e Tij, Muhamedi a.s. gjeti afërsinë më të madhe dhe fillimisht përjetoi frikë nga ajo afërsi. Kur Zoti i Lartësuar e përgatiti zemrën e tij, Ai e afroi Muhamedin a.s. pranë Vetes me butësinë më të madhe dhe bujarinë e pafund të Tij. Nderimet e buta favorizuese e rrethuan dhe ai arriti në stacionin e rrugës dhe: “Atëherë Ai u afrua [53: 8] dhe gjeti veçimin, madje Allahu thotë: “edhe më afër” [53: 9]. Ai dëgjoi misterin, ai pa vizionin e të Vërtetit, ai iku nga të dy botët, ai u qetësua me të Dashurin e tij. Çfarë ndodhi – ndodhi, çfarë dëgjoi – dëgjoi, çfarë pa – pa dhe askush nuk është në dijeni të këtyre sekreteve, sepse intelektet dhe imagjinatat largohen nga perceptimi i tyre. Një mister shkoi pas perdes së xhelozisë dhe u përcoll në dëgjimin profetik pa ndërhyrjen e dritës së të tjerëve – brenda dritës, gëzimit brenda gëzimit, kënaqësisë brenda kënaqësisë.

Zoti na e raportoi historinë për ta nderuar atë (a.s.) dhe Ai i fshehu sekretet për ta madhëruar atë (a.s.).

Sikur Muhamedi a.s. na thotë:

Unë kam një sekret me natën, një sekret të mrekullueshëm! – Nata e di dhe unë e di; Unë e di dhe nata, gjithashtu.