Muhamed ef. Sytari – Myfti i Qarkut të Shkodrës
(Shkëputur nga “Webinari kushtuar ngjarjes së Israsë dhe Mi’raxhit”, mbajtur drejtëpërdrejtë përmes aplikacionit Zoom)
Israja dhe Mi’raxhi është një nxitje Hyjnore për ne si myslimanë, si individë dhe si bashkësi apo si komunitet njerëzish, që të jetojmë si prijës të elitave në shoqërinë tona.
Kjo ngjarje në finale ka ajetin 74 të sures Furkan ku Allahu na mëson të lutemi:
“Ata të cilat luten dhe thonë: Zoti ynë na bën që të jetojmë në gëzim dhe harmoni me familjen (me bashkëshortet) dhe fëmijët tonë dhe na bën të jemi prijës të devotshëm – prijës të elitave”.
Ngjarja duhet të na kthjellojë që ta pyesim veten: Cila është sot pozita e myslimanëve në shoqëritë ku jetojmë?
Fillimisht si individë, a jemi njerëz elitarë? A jemi si shoqëri myslimane, shoqëri elitare? Dhe në pozitat e krejt shoqërive tona në rrafshin global, cila është pozita jonë si myslimanë? A justifikojmë me besimin tonë dhe përkatësinë tonë Islame madhështinë e Israsë dhe Mi’raxhit?
Allahu xh.sh. bëri Pejgamberin a.s. të udhëtonte nga Mekka, që është vendi më i mirë dhe më i begatë, drejt një vendi të cilën Ai e përzgjodhi që të ishte orientim dhe kible para drejtimit – kibles për në Qaben e Shenjtë, pra, e dërgoi atë në xhaminë e Kudusit në Jerusalem, qytet ky, që Allahu e përzgjodhi të jetë simbol i besimit dhe monoteizmit për krejt pejgamberët e njerëzimit.
Pastaj përzgjodhi që njerëzit më të mirë dhe ajkën e krejt njerëzimit, gjegjësisht të gjithë pejgamberët e Zotit, të tubohen në një natë të vetme dhe bëri që Muhamedi a.s. në këtë tubim historik të ajkave të njerëzimit të ishte imami i tyre. Pra, Pejgamberi a.s. në natën e Israsë dhe Mi’raxhit u dëshmua nga Zoti i gjithësisë se është Prijësi i prijësave të historisë së njerëzimit. Në natën e Israsë dhe Mi’raxhit u dëshmua publikisht se Muhamedi a.s. është Imami i krejt profetëve të Zotit. Allahu e bëri këtë mrekulli prej mrekullive dhe me ç ‘rast përforcoi zemrën e tij a.s.!
10.03.2021.