Burim ef. Sadria
Zoti i Madhëruar në Kur’anin Fisnik thotë:
“Dhe me prindërit silluni mirë” (Sureja Bekare: 83).
Erdhi dikush te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i Dërguar i Zotit, të jap besën se do të emigrojë kur të emigrosh ti dhe do të luftoj kur të luftosh ti! – Profeti a.s. e pyeti: A ke ndonjë nga prindërit e tu të gjallë? -Po! I kam të dy gjallë! Kthehu te prindërit e tu dhe sillu mirë me ta! – i tha Profeti a.s.
Profeti a.s. thotë: “Çdo njeriu që Zoti i jep dy vajza dhe sillet mirë me ta, do te bëhen shkak për tu futur në Xhenet”! Nga pjesa e hadithit “të sillet mirë me ta” nënkuptohet që njeriu duhet të sillet mirë me ta, ti ndihmojë dhe ti drejtojë në rrugën e Zotit te Madhëruar.
Shikoni se si sillej Profeti i Zotit a.s. me Fatimen, vajzën e tij. Sa herë që hynte ajo, Profeti a.s. çohej në këmbë për të i puthur kokën. Imagjinoni një baba i këtillë çfarë ndikimi pozitiv do kishte te vajza e tij!
Mirësia është madje edhe në përshëndetje. Zoti i Madhëruar ne Kur’an thotë:
“Nëse ju përshëndesin me një përshëndetje, ju ktheni përshëndetjen edhe më të mirë” (Sureja Nisa: 86).
Mirësia është edhe me atë që debaton dhe nuk të puqen idetë. Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“Dhe debatoni me ta në mënyrën më të mirë” (Sureja Nahl: 125).
Kur Profeti a.s. ishte në qytetin e Mekës dhe po përjetonte vitet e torturave prej jobesimtarëve, i erdhën dhe i thanë: “O djali i vëllait tonë! Ne të propozojmë disa gjëra prandaj na dëgjo mirë. Dhe i propozuan gjëra të ulëta, të cilat nuk përshtateshin me personalitetin e Pejgamberit a.s. I propozuan pasuri, të bëhej i pari i tyre, ta martonin me vajzën më të bukur…etj., me kusht që ta braktiste fenë Islame. Kur përfunduan me ofertat, Pejgamberi a.s tha: “A përfundove, o Eba Velid?! Tani më dëgjo ti mua…! Profeti a.s nuk u nevrikos, as nuk e ngriti zërin, por e dëgjoi deri në fund dhe kërkoi qe edhe ai ta dëgjojë atë.
Mirësia e myslimanit duket edhe në luftë me armikun. Profeti a.s. i këshillonte ushtarët para betejës: “Nisuni në emër të Zotit; mos vrisni pleq, as gratë dhe as fëmijët. Mos vrisni foshnjat; mos shkatërroni ndërtesat; mos digjni të korrat; mos prisni hurmat (pemët)”.
E përfundoj këtë temë me hadithin e Profetit a.s. ku thotë: “Mos jini imitues, që nënkupton: nëse njerëzit sillen mirë me ju edhe ju të silleni mirë dhe nëse sillen keq, edhe ju te silleni keq. Por nëse sillen mirë, edhe ju silluni mirë, e nëse sillen keq, mos u bëni të padrejtë ndaj tyre”.
Dibër, 27.12.2021