Denis ef. Abdushi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit
Falënderimet e plota i takojnë Zotit të gjithësisë, Krijuesit Bujar, i Cili udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë dhe e shmang kë të dëshirojë nga rruga e drejtë dhe të Cilit i nënshtrohet çka në qiell e çka në tokë.
Bekimet e Allahun qofshin mbi krijesën më të mirë që ka shkelur mbi sipërfaqen e tokës, Muhamedin a.s, vula e profetëve, pishtari ndriçues dhe udhërrëfyesi në rrugën e mbarë.
Konceptet e njerëzve ndryshojnë dhe perceptimet e tyre dallojnë dhe nëse gjurmojmë në realitetin e tyre do të vërejmë dallim të madh në përkufizimin e konceptit të shpëtimit dhe fitores, apo të privimit dhe humbjes.
Shumë prej tyre besojnë se lumturia e vërtetë është në tubimin e pasurisë. Të tjerë mendojnë se posti dhe fama janë gjithçka. Ekziston dhe një palë e tretë, që përfaqësojnë një pjesë të madhe të shoqërisë, të cilët lumturinë dhe paqen e shohin pranë epsheve dhe kënaqësive, ndaj mund të shikosh se si përpiqen me çdo kusht të plotësojnë dëshirat e tyre, ngase kjo është lumturia e vërtetë – sipas tyre.
Andaj, duhet pyetur me të drejtë: Ku qëndron lumturia? Ku qëndron paqja dhe rehatia? Ç‘është privimi në peshoren e njerëzve të mençur?
Sigurisht, përgjigja e shkurtër do të ishte: Lumturia e vërtetë dhe shpëtimi qëndrojnë në pasimin e rrugës së Allahut dhe në bindjen dhe nënshtrimin ndaj mësuesit dhe të dashurit tonë, Muhamedit s.a.v.s., ndërsa të privuarit qëndron në të kundërtën e saj.
Por le të trajtojmë disa prej formave të privimit të vërtetë, për t’i përmirësuar konceptet tona:
● Mosbesimi në Allahun është privimi më i madh, që mund ta përjetojë ndonjëri dhe njeriu më i privuar në këtë botë është ai, i cili nuk i beson Zotit dhe fjalës së Zotit dhe është i verbuar nga njohja e Allahut.
I Lartësuari ka thënë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar” (Sureja Ta ha: 124).
Pikërisht kjo është gjendja e atij personi: pikëllim, dhimbje, luhatje.. në këtë botë dhe keqardhje, dëbim dhe zjarr në botën tjetër.
● A thua vallë sa i privuar është ai që privohet nga mirësia e abdesit, për të cilin adhurim flasin hadithe të shumta të Profetit s.a.v.s. Kur myslimani merr abdes për ta adhuruar Krijuesin e tij, me çdo pikë që bie nga gjymtyrët e tij, bie edhe një mëkat. A nuk kemi nevojë për pastrim prej mëkateve, të cilat na kanë mbuluar tërësisht?!
● Më tregoni për atë të cilin privohet nga falja e namazit, për të cilin Allahu na e ka dhënë garancinë e Tij se nëse e përmbushim, do të na shpie në Xhenet dhe do të na shpëtojë nga Zjarri!
E çfarë mund të thuash për atë, të cilin Allahu e thërret në Kuran e i thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe ndaloni tregtinë!” (Sureja Xhumua: 9), ndërsa ai tregohet i shurdhër ndaj kësaj thirrjeje dhe vazhdon punën dhe tregtinë e tij!
● Sa i privuar është ai, të cilit Allahu ia ka obliguar dhënien e zeqatit, i cili adhurim paraqet një sasi e pakët nga një pasuri e shumtë, në një formë që nuk dëmton të pasurin dhe i sjell dobi të varfërit, megjithatë tregohet koprrac dhe shtrëngon dorën. Vallë, a nuk besoi premtimin e të Dërguarit se zeqati dhe lëmosha nuk pakësojnë pasurinë!
● A thua vallë ekziston person më i privuar se ai që nuk lexon Kuranin në gjuhën arabe, siç edhe ka zbritur! Një vepër e lehtë me shpërblime pa hesap. Për çdo shkronjë nga dhjetë shpërblime. A mund ta përfytyrosh se sa shpërblime ka në leximin e një pjese të vogël të tij dhe nga ana tjetër sa shpërblime na kalojnë çdo ditë pa u shfrytëzuar? Allahu na drejtoftë!
● Me siguri e keni parë atë skenë kur disa njerëz për mburrje dhe dëfrim me rastin e gëzimeve familjare (dasmave) u hedhin muzikantëve shuma të mëdha parash, diçka që shkel çdo normë fetare, logjike dhe morale. Çfarë nëse ato para ua jepte personave nevojtarë? Çfarë nëse me ato para shikonte hallin e një familjeje të varfër? Çfarë fitoi ai me këtë veprim dhe çfarë humbi? Kënaqësia dhe dëfrimi përfunduan, ngeli mëkati dhe llogaria para Allahut për shpërdorimin e pasurisë. Ndërsa në të kundërtën do të fitonte shpërblime të shumta, të cilat do t’i gjente në ahiret dhe lutjet e atyre që do t’u ndihmonte. Mirëpo, i privuari është ai që Allahu e privon prej mirësive të Tij.
● Çfarë ka humbur ai që është privuar nga përgjërimi, nënshtrimi, thyerja dhe lutja ndaj Allahut?!
Ç’është puna me ne, që lidhim zemrat tona për postet, paratë, pushtetarët etj., ndërsa harrojmë se kemi një Krijues, i Cili dëshiron t’i drejtohemi e t’i mbështetemi në çdo rast të jetës sonë dhe për çdo hall tonë?!
Mos harro se jo çdonjërit i mundësohet e mira dhe mëshira, ndërsa i privuari i vërtetë është ai që privohet dhe shmanget fillimisht nga adhurimi i Zotit të tij, pastaj nga mirësitë e shumta e të panumërta të Krijuesit të tij.
O Allah, na bëj prej atyre, që i arrijnë mirësitë e Tua të shumta, na gëzo me dhuntitë e Tua dhe mos na bëj prej të privuarve, sepse, nëse jemi prej të tillëve, kemi dështuar me një dështim të qartë. Amin.
Dibër, 26.12.2021