Mos e humbni shpresën!

Mr. Nasuf ef. Strikçani

Ekziston një qëndrim me pajtueshmëri tek Ehli Suneti se besimtari jeton mes frikës dhe shpresës. Prandaj besimtari e vepron atë që i është urdhëruar dhe i përmbahet asaj që i është e ndaluar, shpreson tek Allahu xh.sh, dhe njëkohësisht frikohet prej veprave të veta. Këtë e pohon nga dita ne ditë që ta rrisë sinqeritetin e tij kundrejt Allahut xh.sh.

Mësimi islam thotë se jeta e besimtarit duhet të jetë mes frikës dhe shpresës, e tillë që atë e drejton kah një jetë pozitive. Kjo do të thotë se besimtari asnjëherë nuk duhet të harrojë se çka mund ti ndodhë, çfarë dënimi mund të merr nëse nuk bindet në urdhërat e Allahut, e ky rregull njëkohësisht na mëson se besimtari, pa marrë parasysh sa është gabimtar, asnjëherë nuk duhet të humbën shpresë në mëshirën e Allahut.  

Shpresa pozitive dhe fuqia shpirtërore janë ndjekës të sinqertë të besimit, veçanërisht në kohë kur jetojmë në kohë të vështira. Siç kemi thënë se për vështirësitë dhe problemet e shumta në këtë jetë, durimi për to është zgjidhje e veçantë, zgjidhje tjetër që islami i urdhëron besimtarët, është shpresa në Allahun xh.sh dhe në ndihmën e Tij. Islami këtë ua ofron besimtarëve që të ndihmohen në raste të vështira. Allahu xh.sh ka thënë se pas ndonjë vështirësie vjen lehtësimi:

Pas vështirësisë Allahu jep lehtësimin (Sureja Talak: 7) 

Imam Gazali thotë se shpresa dhe frika janë krahë pa të cilat nuk mund të fluturohet. Transmetohet se i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. ka hyrë njëherë tek një djalë i ri i cili ka qenë në shtratin e vdekjes dhe e ka pyetur: Çka ndjen shpirtërisht? – Shpresoj në Allahun dhe frikësohem prej veprave të mija. I dërguari i Allahut në këtë tha: Tek ai i cili bashkohen këto dy gjëra në shtratin e vdekjes, Allahu do ti japë në atë që shpreson dhe do ta ruan nga ajo që frikësohet (Transmeton Tirmidhi, hadith Hasen). 

Allahu i Lartëmadhëruar në Librin e Tij të ndershëm na inkurajon që të mos e humbim shpresën në Rahmetin e Tij. Ai thotë: 

Thuaj, o robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjithë mëkatet, Ai është që falë dhe është Mëshirues (Sureja Zumer: 53) 

Humbja e shpresës është më e rrezikshme se sa vetë mëkati, sepse shpresën në mëshirën e Allahut xh.sh e humbin vetëm të pafatët. I Lartë Madhëruari duke i cituar fjalët e Jakubit a.s. thotë:

(Jakubi u tha bijve të vet) O bijtë e Mi, shkoni dhe hulumtoni (në Egjipt) për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun (Sureja Jusuf: 87). 

Disa nga dijetarët islam humbjen e shpresës në Allahun e rendisin në mëkatet e mëdha. Kjo më mirë shihet në hadithin që e transmeton Ibn Abbasi r.a. se një njeri e ka pyetur Muhamedin a.s. për mëkatet e mëdha e ai ka thënë: Allahut ti përshkruash shok dhe ta humbësh shpresën në mëshirën e Allahut (Transmeton Taberani dhe Bezzari, hadith Hasen). 

A është shpresa një ndër obligimet islame? Disa thonë: i lumi unë, kam shpresë! Në këtë rast ti aplikon një prej obligimeve ndaj Allahut. Lexoje ajetin: “e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun (Sureja Jusuf,87)  Në këtë ajet i ka quajtur jobesimtarë. Pse vallë? Sepse ai i cili e ka humbur shpresën në mëshirën e Allahut, ai dyshon në të vërtetën që është një. Ai dyshon dhe flet se Allahu e ka krijuar këtë gjithësi dhe e ka lënë pa mëshirë.  

Humbja e shpresës në mëshirën e Allahut është veçanërisht e ndaluar për gabimtarin, sepse në atë moment i vjen shejtani me cytjet e veta duke hyrë në zemrën e tij dhe duke i thënë se është vonë të pendohesh dhe se duhet të jesh i “lirë” në këtë botë. 

Sahabiu i quajtur Abdullah ibn Mesud r.a. ka thënë: “Dënimi është i pashmangshëm në dy raste: në dëshpërim dhe në vetëpëlqim”. Aliu r.a. ka thënë: “Dijetari i vërtetë është ai i cili nuk ua humbën shpresën njerëzve në mëshirën e Allahut, e nga ana tjetër nuk u jep siguri nga dënimi i Allahut xh.sh. 

Të nderuar besimtarë! Djalli (shejtani) nuk e humbën shpresën kur është në pyetje joshja e besimtarit. Transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë: Njëherë shejtani e ka takuar Jahjanë a.s. i cili e ka pyetur shejtanin: Tregomë për llojet e njerëzve në prizmin tuaj? Iblisi i është përgjigjur:  “Një lloj prej tyre janë njësoj si ti, të cilët janë të ruajtur, të udhëzuar dhe të cilët nuk mund ti okupojmë apo nënshtrojmë; Lloji tjetër i njerëzve janë të tillët që tek duart tona konsiderohen si lojërat në duart e fëmijëve, ata janë mjaftueshëm për të keqen e tyre, dhe; Grupi i fundit janë ata që konsiderohen rast i rëndë për ne, janë ata njerëz të cilët kur ne mundohemi tu bëjmë dëm ata ruhen duke e përmendur Zotin, kërkojnë falje te Zoti (istigfar) dhe kështu na e prishin gjithë atë që kemi ndërtuar me ato. As nuk humbim shpresë për to e as nuk mundemi ti fitojmë”. 

Do ta mbyllim këtë temë me një klasifikim interesant të shpresës në jetën e njeriut, edhe atë: 

  1. Shpresa e cila është adhurim (ibadet) dhe e cila është e lidhur me Allahun xh.sh. E njëjta ndahet në dy nëngrupe: shpresë e cila është e lavdëruar, e cila përveç shpresën në mëshirën në Allahut  nënkuptohet edhe veprim të veprave të mira dhe bindje ndaj Allahut; dhe shpresa e cila nuk është e lejuar dhe nuk shoqërohet me vepra të mira e as bindje ndaj Zotit, pra bëhet fjalë vetëm për dëshirë të dëmshme. 
  2. Shpresa e cila është shirk (mosbesim), pra të shpresosh për gjera të cilat i takojnë vetëm Allahut në dikë tjetër përpos tij.

“E kush është që shpreson në takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij, të mos përziejë askënd (Sureja Kehf: 110); dhe

3. Shpresë e cila është e lindur natyrisht. Të shpresosh për dikë që me të vërtetë e ka atë mundësi.

Zoti na e mundësoftë shpresën e llojit të parë e cila është adhurim (ibadet) për Zotin.