Obligimi i myslimanit në kohë krizash

Denis ef. Abdushi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit!

Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, Zotit të gjithësisë, në dorën e të Cilit është toka dhe qielli, jeta dhe vdekja, mirëqenia dhe komoditeti, fatkeqësitë dhe skamja dhe furnizimi i njerëzve.

Bekimet e Allahut dhe përshëndetjet më të plota qofshin mbi zotërinë e njerëzve, Muhamedin s.a.v.s., i cili ishte pranë tyre edhe në rastet më të vështira.

Allahu i Lartësuar ka bërë që kjo botë të jetë vendi i fatkeqësive, telasheve, turbullirave dhe trazirave. Kemi ardhur në këtë botë për t’u testuar dhe provuar, ndërsa të qëndruarit në një gjendje konstante, të vazhdueshme është e pamundur.

Sprovat në fjalë shtohen me shtimin e besimit, nëse individi apo shoqëria karakterizohen me besim, devotshmëri dhe stabilitet në fe. Por mund të bartin edhe një pamje tjetër: ndëshkim prej Zotit të Plotfuqishëm për atë që e kemi bërë dhe e kemi merituar.

Jetojmë në kohë telashesh dhe momentalisht jemi duke përjetuar një situatë të vështirë ku pothuajse çdo send është shtrenjtuar dhe po shtrenjtohet dhe çmimet po arrijnë kulmet, dhe kjo situatë nuk na ka kapluar vetëm se muslimanët dhe shoqëritë myslimane, por është duke e kapluar mbarë botën.

Shtrenjtësia nuk është diçka e re në botë dhe nuk është diçka e panjohur për njerëzimin. Shtrenjtësia ka ndodhur në kohën e të Dërguarit tonë a.s, ka ndodhur edhe pas tij në kohën e Ebu bekrit, në kohën e Omerit, ka ndodhur edhe më vonë përgjatë historisë islame dhe nëse u referohesh historianëve myslimanë për të lexuar se çfarë ka ndodhur në realitet në ato kohëra të vështira, do të rrëqethet lëkura dhe do të dridhet trupi.

Në hijen e kësaj situate individi musliman dibran, apo shoqëria myslimane dibrane në veçanti, pastaj muslimanët dhe shoqëritë myslimane përgjithësisht janë njëri prej dy personave: ose musliman i devotshëm, i përkushtuar ndaj fesë, të cilin Allahu dëshiron ta testojë besimin e tij për ta ngritur edhe më lartë, për t’ia falur mëkatet dhe për t’i pastruar radhët e besimtarëve, ose musliman që është larguar nga rruga e drejtë dhe e ka mënjanuar nga jeta e tij fenë, për rrjedhojë i vjen ndëshkimi i merituar. Por, shikuar dhe parë në realitetin e përditshëm, në të cilin kufijtë e Zotit shkelen vazhdimisht, ndërsa feja në shpërfillje e sipër, kam frikë se jemi më pranë grupit të dytë.

Situata aktuale duhet parë nga këndvështrimi fetar dhe nëse nuk trajtohet siç duhet, do të shkaktojë pasoja fatale, në mesin e të cilave është dhe varfërimi i popullsisë dhe përhapja e dukurive negative, si: krimi dhe hajnia.

Ne si myslimanë me rastin e kësaj situate obligohemi me gjërat në vijim, të cilat njëkohësisht janë edhe pjesë e trajtimit të kësaj situate:

1.Kthimi në rrugën e Zotit me vendosmëri dhe sinqeritet.

Duhet ta dimë që të gjithë dhe ta kemi parasysh se shpëtimi i vetëm i njeriut është te Zoti i tij dhe pranë Zotit të tij, në dorën e të Cilit është çdo gjë.

2.Përgjërimi përpara Allahut dhe insistimi i vazhdueshëm me lutje dhe dua për t’u larguar kjo fatkeqësi.

3.Kërkimi i faljes në vazhdimësi dhe përkujtimi i Allahut.

4.Ripërtrirja e lidhjeve me Zotin dhe përforcimi i besimit.

“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe Toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (A’raf; 96)

5.Të stolisurit me moralin e durimit.

“O besimtarë, kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare; 153)

6.Mesataria në shpenzim dhe largimi nga harxhimet e tepërta dhe të panevojshme.

Allahu në Kuran na e ka ndaluar shpenzimin e tepruar: “…por mos bëni shpenzim të tepëruar. Dorëshpuarit janë me të vërtetë vëllezërit e djallit dhe djalli është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij.” (Sureja Isra: 26-27)

Njëri prej njerëzve të urtë në të kaluarën ka thënë: “Ai që e blen atë për të cilën nuk ka nevojë, së shpejti do ta shesë atë për të cilën ka nevojë.”

7.Kultura e trajtimit të shtrenjtësisë.

Kur një mall i caktuar nis të shtrenjtohet, njerëzit shkojnë dhe e blejnë atë mall me shumicë nga frika se nuk do të jetë më në treg, gjë e cila shkakton rritjen e çmimit të atij malli, ndërsa një veprim i tillë është i gabuar. E drejta është që kur një mall i caktuar të shtrenjtohet, të mos blihet, por në vend të tij të blihet diçka tjetër që e zëvendëson atë, duke mos ua mundësuar në këtë mënyrë monopolistëve të përfitojnë nga situata.

8.Kultura e humanizmit dhe qëndrimi pranë nevojave të varfërve dhe nevojtarëve.

Nëse dhënia e zeqatit është e obliguar dhe dhënia e lëmoshës e preferuar, në raste të këtilla dhënia e zeqatit është edhe më i obliguar, ndërsa lëmosha edhe më e nevojshme dhe më e potencuar.

Lusim Zotin bujar të na ruajë nga çdo fatkeqësi dhe të na i lehtësojë brengat dhe hallet. Sigurisht që Zoti ynë është më Bujari dhe më i Mëshirshmi.

Dibër, 07.11.2021