Bujar ef. Dovolani
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut xh.sh., ndërsa salavatet e përzemërta ia dërgojmë shpirtit të Muhamed Mustafasë.
Haxhi është obligim-farz dhe njëri nga 5 kushtet e Islamit. Obligueshmërinë e tij e dëshmon Kur’ani Famëlartë, Syneti i Pejgamberit a.s. dhe vendimi i dijetarëve myslimanë.
Allahu xh.sh thotë: Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për ata që kanë mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk e beson, Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetet që bëjnë) njerëzit (Sureja Ali Imran: 97).
Muhamedi a.s thotë: “Islami është ngritur mbi 5 shtylla:
Shqiptimi i Shehadetit;
Falja e Namazit;
Agjërimi i Ramazanit;
Dhënia e zeqatit; dhe
Shkuarja në Haxh për atë që ka mundësi”.
Është bërë obligim në vitin e 9 të Hixhrit. Muhamedi a.s thotë: O ju njerëz! U është bërë obligim Haxhillëku, andaj kryeni atë. Një njeri i tha: A për çdo vit? Sikur të thosha Po, do tu obligohet dhe nuk do mundnit ta kryeni (transmeton Muslimi).
Haxhillëku është obligim për myslimanin një herë në jetë. Kujtojmë se Muhamedi a.s. ka bërë vetëm një herë Haxhillëkun, e nëse dikush shkon më shumë se një herë, ai llogaritet vullnetar.
Myslimani duhet të nxitojë në kryerjen e Haxhit. Muhamedi a.s thotë: “Nxitoni në kryerjen e Haxhit ngase askush nga ju nuk e di se çka do ti ndodhë”. Është pyetur Muhamedi a.s.: “Cila punë është më e mira? Është përgjigjur: Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Allahut. Pastaj cila? Lufta në rrugë të Allahut. Pastaj cila? Haxhi i pranuar”.
Transmeton Buhariu: “Kush bën haxhillëkun për hir të Allahut, nuk i afrohet gruas dhe nuk bën ndonjë mëkat, kthehet sërish në gjendjen sikur e ka lindur nëna”.
Muhamedin a.s e kanë pyetur: A ka luftë për gratë? Po – është përgjigjur. Për ato ka xhihad pa luftë. Ai është Haxhi dhe Umreja.
Allahu xh.sh thotë: “Dhe thirr ndër njerëz për Haxhillëk se të vijnë ty këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara” (Sureja: Haxh: 27-28).
Nuk ka dobi më të mirë se pastrimi i haxhiut nga mëkatet dhe kthimi i tij sërish në gjendjen që e ka lindur nëna.
Më tej do theksojmë dhe shtyllat e Haxhit të cilat janë:
Bërja e nijetit. Pas nijetit duhet të thuhet lutja: Lebejk Allahumme Haxhen (Të përgjigjem o Allah me Haxh);
Qëndrimi në vendin e quajtur Arafat;
Tavafi i Haxhit;
Saji (Nxitimi nga kodra Safa deri tek ajo Merva).
Ndërsa obligimet e Haxhit (Farzet) janë si më poshtë:
Veshja e rrobave – Ihram;
Qëndrimi në vendin e quajtur Muzdelife;
Hedhja e gurëve;
Qëndrimi në vendin e quajtur Mina;
Rruajtja ose shkurtimi i flokëve;
Therja e Kurbanit; dhe
Tavafi i Lamtumirës.
Allahu na udhëzoftë dhe na shpëtoftë prej kësaj sprove që të mund të mbërrijmë shkuarjen në shtëpinë e Allahut. Amin.
Dibër, 23.07.2021