Urimi i Myftinisë së Dibrës së Madhe me rastin e Haxhi / Kurban Bajramit!

Jeton ef. Muça – sekretar i Myftinisë së Dibrës së Madhe

Të nderuar besimtarë dibranë! Kurban Bajrami është një nga dy festat islame të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën. Në këtë ditë kujtohet gatishmëria e Ibrahimit a.s. që u pajtua të flijoj djalin e tij Ismailin a.s. si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit, para se Zoti të ndërhyj, përmes engjëllit të tij Xhebrailit a.s. dhe të njoftoj Ibrahimin a.s. se flijimi i tij tashmë është pranuar. Sot, edhe pse kanë kaluar mijëra vite nga kjo ngjarje, besimtarët anë e kënd botës vazhdojnë të sakrifikojnë kafshë për Zotit e tyre si dëshmi e nënshtrimit ndaj Zotit, duke e lutur Lartmadhërinë e Tij që të mos i sprovojë me gjëra që ata nuk mund ti përballojnë dhe me fatkeqësi të kësaj bote, por gjaku i derdhur i kafshëve të jetë shenjë e sakrificës së tyre dhe mishi i shpërndarë për të varfërit të jetë shenjë e solidaritetit njerëzor. 

Kjo festë ndryshe quhet edhe si Haxhi Bajrami, sepse brenda ditëve të tij kryhet edhe pelegrinazhi apo haxhillëku, ritual ky që zhvillohet enkas në qytetin e Mekës, pikërisht në Qabenë e Madhërishme, Shtëpinë e Zotit në tokë. Kryefjalë e këtij adhurimi është uniteti njerëzor dhe vëllazëria e besimtarëve mysliman pavarësisht racës, ngjyrës dhe etnisë. Ndër ritualet kryesore të haxhillëkut është edhe qëndrimi në vendin e quajtur Arafat, moment ky që secili prej hanxhinjve lutet për mirësi personale, familjare dhe kolektive dhe kujton ditën e Llogarisë Përfundimtare në Botën Tjetër.

Dita e Arafatit na kujton edhe Librin e Allahut, Kur’anin Famëlartë sepse pikërisht në këtë ditë ka zbritur edhe ajeti i fundit i Tij. Në këtë ditë Allahu e përsosi fenë dhe e plotësoi dhuntinë mbi myslimanët, siç thotë vet Ai në Kur’anin Famëlartë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj” (El-Maide: 3).

Festa e Kurban apo Haxhi Bajramit ka shumë vlera të larta tek Zoti, andaj e kemi obligim moral ta përhapin “shpirtin” e kësaj feste në familjet tona, te fëmijët tonë, te farefisi, miqtë dhe dashamirët; Ti gëzohemi Bajramit dhe ti falënderohemi Zotit për të mirat e panumërta dhe mirësitë e pashtershme; Ti lutemi Atij për harmoni dhe paqe në botë, duke na larguar fatkeqësinë që na ka kapluar si rezultat i kësaj pandemie famëkeqe; Të trokasim në çdo derë të njohur dhe të dashur për ne dhe të lëmë mënjanë zënkat, inatet dhe mërit e të bashkohemi në një fjalë të përbashkët mes nesh që thotë: Lebejke Allahume Lebejk (të përgjigjemi o Allah, të përgjigjemi).

Në emrin tim dhe në emër të Myftinisë së Dibrës së Madhe, në krye me Myfti Reshat ef. Kaçallniku, e gëzofshi të gjithë Bajramin dhe paçit gëzime dhe mirësi në shtëpitë tuaja.