Vlera e dhjetë ditëve të muajit Dhul-Hixhes

Reshit ef. Mullarexha

Gjendemi në muajin madhështor Dhul-Hixhe, i cili muaj përmban shumë begati, merita dhe adhurime të llojllojshme. Dhjetë ditët e para të këtij muaji Allahu i thekson në Kur’an duke thënë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul-Hixhe)” (Sureja Fexhr: 1-2.

Më i dashuri i njerëzimit, Muhamedi a.s. na thotë: “Nuk ka vepër më të vlerësuar dhe me sevap më të madh se sa një vepër e mirë që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes”. Dikush e pyeti: “O i Dërguar i Allahut! As pjesëmarrja në xhihad?!” Profeti u përgjigj: “As pjesëmarrja në xhihad, përveç atij i cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën”. Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Zoti se sa këto dhjetë ditë. Në këto ditë është i preferuar agjërimi e sidomos dita e Arafatit, e cila ditë është më e mira ditë e gjithë vitit, siç është nata e Kadrit nata më e mirë e  vitit”.

Profeti s.a.v.s për agjërimin e ditës së Arafatit ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”.

Kjo ditë pëlqehet të agjërohet nga ai i cili nuk është në Haxh, ndërsa haxhiu nuk duhet ta agjëron për arsye se atë ditë duhet të jetë i fortë që ta adhuron Allahun më tepër, ta përmend më tepër, të lutet më tepër ngase ajo ditë është ditë e faljes së gjynaheve dhe lirimit prej zjarri të Xhehenemit.  

Transmeton nëna e besimtarëve, Aisheja r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që lirohen më së shumti robër nga zjarri i xhehenemit se dita Arafatit. Allahu u afrohet atyre, pastaj lavdërohet me ata para engjëjve dhe thotë: Çfarë dëshirojnë ata, ajo do të pranohet”!

Profeti Muhamed a.s. shpesh thoshte: Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët e tjerë është fjala: La ilahe il-Allahu vahdehu la sherike  leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shejin Kadir (S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Një dhe të pashoq. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi. Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send). 

I Plotfuqishmi Zot u jep besimtarëve një mundësi për të gjetur shpërblime që nuk gjenden në kohë tjera. Andaj ti shtojmë veprat e mira në përgjithësi, mes tyre: leximin e Kur’anit, faljen e namazeve nafile, dhikrin apo kujtimin e Zotit, respektimin e prindërve dhe të moshuarve, pajtimin në grindje, forcimin e lidhjeve familjare dhe farefisnore, shmangien e sharjeve dhe mendimeve të këqija, ndihmën vëllazërore dhe lutje të shumta.

Në këto ditë më së shumti preferohet përmendja e Allahut, falënderimi dhe madhërimi i Tij. Allahu  xh.sh. thotë që të përmendim emrin e Tij në ditët e caktuara (Siç potencohet në suren Haxh 28). Andaj thoni sa më shumë tekbire: Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-Allahu Vallahu Ekber. Allahu ekber ue li-Lahil hamd.

Të fitojmë kënaqësinë e Zotit në këto dhjetë ditë që janë të barabarta sa 1000 ditë tjera ku agjërimi i një dite është i barabartë me një vit të tërë. E lusim Allahun të na mundësojë agjërimin e këtyre ditëve, lehtësimin e veprimit të dobishme dhe faljen e mëkateve tona. Amin!

Dibër, 11.07.2021