Sinqeriteti

Burim ef. Sadria

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të Botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed a.s., familjen, shokët dhe të gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në ditën e kiametit.

Thotë Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik: “Dhe nuk u urdhëruam veçse që të adhuroni Zotin me sinqeritet dhe përkushtim të plot”, (Sureja Bejjine: 5). “Thuaj unë jam urdhëruar që të adhuroj Zotin, duke plotësuar detyrat e fesë së Tij me sinqeritet” (Sureja Zumer: 11). Sinqeriteti është një nga adhurimet të cilat kryen me zemër. Të jesh i sinqertë me Zotin, do të thotë që çdo vepër që ta bësh, ta kryesh vetëm për hatër të Zotit të Lartësuar dhe për të fituar kënaqësinë e Tij.

Ajo që na mungon shumë sot është pikërisht sinqeriteti. Kur ndihmojmë dikën dëshirojmë që të merr vesh secili, sepse veprën që e bëjmë nuk e bëjmë për Zotin por për syfaqësi. E gjitha që të na shohin njerëzit se jemi nga ata që u ndihmojmë të tjerëve. Ndërsa Allahu garanton se Ai “pranon punët vetëm prej të sinqertëve” (Sureja Maide: 27).

Muhamedi a.s. në një rast u tha shokëve të vet: Ajo që kam frikë ndaj jush është shirku i vogël. Shokët e pyetën :Çfarë është shirku i vogël, o i Dërguari i Allahut? Syfaqësia – u përgjigj ai.

Profeti Muhamed a.s. në një rast tjetër tregon një ngjarje të veçantë për në Ditën e Llogarisë, ai thotë: “Zjarri i xhehenemit do të ndizet me tre lloje njerëzish: I pari është një njëri që ka rënë shehid. Do të sillet dhe do ta pyes Zoti mbi mirësitë që ia ka dhënë dhe do ti pranojë. Zoti do ta pyes përsëri se çfarë ke bërë me këto mirësi? Luftova për hatrin tënd o Zot, derisa u vrava – do të përgjigjet. Gënjen! – do ti thotë Zoti. Luftove që tët thuhet se je trim. Më pas do të hiqet zvarrë dhe do të hidhet ne zjarr. I dyti është ai njeri që ka marr dije. Kur ta pyes Zoti se çfarë ke bërë me atë që e mësove, do të përgjigjet: Mora dije dhe ua mësova atë njerëzve të tjerë për hatrin Tënd. Gënjen! – do ti thotë Zoti. Mësove që tët thuhet se je i ditur…Më pas do të tërhiqet zvarrë dhe do hidhet në zjarr. I treti është një njeri që Zoti i ka dhënë pasuri të shumta dhe ai ka dhënë prej saj lëmoshë për të varfërit. Do të sillet para Zotit e do të pyetet se çfarë ka bërë me pasurinë që i ka dhënë Zoti, e ai do të përgjigjet: O Zot! Me pasurin që më ke dhënë, unë e shpërndava në rrugën tënde. Gënjeve! – do ti thotë Zoti. E shpërndave që tët thuhet se ky qenka bujar. Më pas do të hidhet në zjarr”.

Nga kjo nuk duhet të kuptojmë se nuk duhet të kërkojmë të vdesim si shehid, apo mos na jepet pasuri dhe të mos u japim të varfërve, por që çdo gjë që ta bëjmë, ta bëjmë me sinqeritet dhe jo për të na lavdëruar njerëzit. Mos harrojmë! Ishte sinqeriteti ai që e shpëtoi Jusufin a.s. nga imoraliteti. Allahu thotë: “Ajo e mësyni atë qëllimisht, e atij do t’i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos i prezantohej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robtë tanë të zgjedhur” (Sureja Jusuf: 24).

Omer Bin Hattabi r.a., pa njëherë një burrë që kur falej e përkulte qafen, si formë përkushtimi dhe i tha: I dashur! Përkushtimi nuk është te qafa por te zemra. Qofshim nga ata besimtarë që kur bëjmë ndonjë vepër ta bëjmë për hatër të Zotit jo për hatër të njerëzve.

Dibër, 25.07.2021