Ruajeni besimin tuaj nga adhurimet e kota!

Ligjëruese fetare: Launtina Dovolani

Falënderimi i takon Allahut. Atij i bëjmë lavdërim dhe prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu xh.sh. s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se s’ka të adhuruar më të drejtë përveç Allahut i cili është NJË dhe dëshmoj se Muhamedi a.s. është rob dhe i dërguar i tij. Thënia e vërtetë është thënia e Allahut kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit a.s. Veprat më të këqija janë ato të shpikura, çdo shpikje është risi (bidat) dhe çdo risi është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Shejtani i mallkuar i është betuar Allahut të Lartëmadhëruar se do ti humb njerëzit me metodat e tij të ndryshme. Allahu xh.sh thotë: (Iblisi) Tha: “Për shkak se më humbe mua, unë do t’u ulem atyre (do t’u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë. Mandej do t’ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)! (Sureja A’raf: 16,17).

Qëllimi i parë i shejtanit është hedhja e njeriut në shirk. Çka në fakt është shirku? Shirku është ti bësh shok Allahut në adhurim, d.m.th. të bësh një vepër duke i shoqëruar Allahut edhe diçka tjetër, si për shembull: Të ndërmjetësosh tek Allahu me ndonjë varr, pastaj të mbash gjëra të ndryshme ne trup apo edhe në vende tjera për bereqet apo për mbrojtje, p.sh.: Gur te kaltër për mësysh, fije të perit, horoskop, e gjëra të tjera, të gjitha këto hyn në shirk.
Allahu xh.sh në suren Maide, ajeti 72 thotë:

“…ai që i përshkruan Zotit shok, All-llahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës”. E sikur t’i përshkruajnë shok Zotit (edhe ndonjë nga këta) kishte për t’iu shkuar huq ajo që kanë vepruar (Sureja Enam: 88).

I Dërguari i Allahut s.a.v.s ishte shumë i kujdesshëm në edukimin e njerëzve drejt shirkut saqë ua kontrollonte edhe fjalët e tyre që binin në kundërshtim me njëshmërinë e Allahut xh.sh. Muhamedi s.a.v.s thoshte: “Kush betohet ne diçka tjetër përveç Allahut, ka bërë shirk”. Sa shumë janë ato njerëz të cilët betohen në diç tjetër pos Allahut, siç p.sh.: Për kokë të djalit, i ngrënsha kocit e babës / nënës etj., e fjalë të tilla që bien në kundërshtim të qartë me fenë e pastër Islame.

Transmetohet se dikush njëherë i tha Muhamedit a.s: “Si të dëshirojë Allahu, edhe ti. I dërguari i Allahut s.a.v.s ia ktheu: A më bëre të barabartë me Allahun? Thuaj: Si të dëshirojë vetëm Allahu”. Dhe ne një transmetim tjetër thuhet: “Çka të dojë Allahu, pastaj Muhamedi”. Këtu shihet se sa ishte i kujdesshëm Muhamedi a.s në pastrimin e gjërave që kundërshtojnë besimin e pastër Islam. Disa njerëz me pretekstin e dashurisë për njerëzit e devotshëm, në shumë vende filluan të përhapin dukurinë e adhurimit të varreve, ku përmes lutjeve dhe flijimeve që bëheshin aty e konsideronin jo si adhurim i atyre që kishin vdekur por thjesht si kërkim i ndërmjetësimit të tyre. Këto njerëz harrojnë se edhe idhujtarët e kohës së Profetit a.s. kur u pyetën se përse i adhuronin idhujt e tyre, u përgjigjën: “Ne nuk i adhurojmë ata përveç se që te na afrojnë tek Allahu xh.sh.”

Duhet të theksojmë se pjesa dërmuese e atyre që u bëjnë shok Allahut (ne adhurim) si ne kohët e vjetra ashtu edhe në kohën e sodit, besojnë dhe pohojnë se Allahu është Krijuesi, Zotëruesi dhe Furnizuesi i çdo gjëje që ekziston. Ndaj dhe shirku i tyre nuk qëndron tek ekzistenca e Allahut por te shoqërimi që i bëjnë Allahut xh.sh gjatë adhurimit. Allahu në suren Jusuf ajeti 106 thotë: “Dhe shumica e tyre nuk e besojnë Allahun përveç se duke i shoqëruar atij të adhuruar te tjerë”.

Tregon Imran ibn Susejni se i Dërguari i Allahut xh.sh. e pa një burrë që mbante në dorën e tij një rreth bakri dhe i tha: Çka është kjo? Burri i tha: E mbaj për dobësim! Profeti a.s. i tha: Hiqe se ajo të shton dobësinë. Nëse ti vdes me të në dorë, nuk do të shpëtosh kurrë.
Allahu xh.sh na ruajt prej këtyre bindjeve e besimeve te kota. Ai thotë në Kur’anin Fisnik: Dhe ne i kemi zbritur nga Kur’ani atë që është shërim e mëshirë për atë që beson (Sureja Isra: 82). Andaj në çdo gjë që bëni bazohuni vetëm në Allahun, Kur’anin Famëlartë dhe në hadithet e Profetit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe largohuni prej besimeve të kota.

Lusim Allahun e Madhëruar që ti bëjë të vetëdijshëm muslimanët nga gjërat që e hidhërojnë Allahun xh.sh. Allahu na forcoftë imanin dhe na bëftë prej banorëve të Xhenetit Firdeus. Amin!

Dibër, 27.07.2021