Ligjëruese fetare: Launtina Dovolani
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të gjithë ju.
Mbulesa (hixhabi) është respekt ndaj urdhrave të Allahut dhe të Pejgamberit s.a.v.s.
Allahu xh.sh bëri mbulesën islame titull nderi duke thënë:
O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues (Sureja Ahzab: 59)
O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e All-llahut, ashtu që ata të përkujtojnë (Sureja A’raf: 26).
Mbulesa është e obligueshme për myslimanen, një akt bindës ndaj Krijuesit dhe simbol i dëlirësisë, modestisë, dhe mirësjelljes.
Veshja islame nuk është vetëm mbulimi i trupit por ajo është edhe adhurim dhe afrim ndaj krijuesit – Zotit. Kështu, besimtarja i bindet Zotit dhe me dëlirësi i nënshtrohet urdhërit të Tij. Myslimania duhet ti përmbahet natyrës së saj. Zoti i dënon ato femra që sillen si meshkuj dhe anasjelltas. Prandaj mbulesa është ruajtja e natyrshmërisë së femrës dhe manifestim i devotshmërisë së saj.
Myslimania duhet të jetë dinjitoze në aspektin fizik dhe e përkushtuar në aspektin shpirtëror. Mbulesa është një mbrojtje e sigurt në refuzimin e gjithë sjelljeve të liga dhe amorale.
Gruaja me mbulesë nuk është e robëruar siç mendojnë njerëzit, përkundrazi mbulesa tregon liri absolute që Krijuesi ja ka dhuruar gruas, i cili e bëri të barabartë gruan para Zotit dhe njerëzve të tjerë.
Allahu xh.sh thotë:
“Thuaju dhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le ti vënë vellot e tyre mbi kraharorin e tyre” (Sureja Nur: 31). “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos e shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme (Sureja Ahzab: 33).
Bukuria e myslimanes është në moralin e saj e jo në grimin e saj. Bukuria nuk është në makijazhin e saj por në sjelljen dhe angazhimin e saj ndaj Zotit dhe shoqërisë.
Makijazhi hiqet me larjen e fytyrës, por etika dhe morali mbeten. Bukuria e myslimanes është në zgjuarsinë e mendjes dhe në punët dhe veprat me të cilën ajo fiton kënaqësinë e Allahut.
Mos harro motër se je një xhevahir i çmuar që duhet të ruhet dhe të mbrohet. Andaj përmbaju mbulesës se ajo është nder, respekt dhe krenari për ty.
Një nga shenjat e besimit të vërtetë është të bësh adhurim me dashuri. Fatkeqësisht, dashuria për mbulesën që ka qenë tek brezat e parë të grave myslimane, duket sikur është dobësuar pak në zemrat e myslimaneve të sodit. Kur Aliu r.a. e pyeti gruan e tij Fatimen r.a., vajzën e Pejgamberit a.s se cila është gjëja më e dashur për një grua besimtare, ajo iu përgjigj:
“Të mos shoh asnjë burrë të huaj (me djallzi)”.
Parashtrohet pyetja: Si ta kthejmë dashurinë për mbulesën në zemrat e grave myslimane?
Gruaja myslimane duhet të largojë nga zemra sëmundjen sipas të cilës mbulesa e bën inferiore dhe i kufizon jetën asaj. Mbulesa e gruas myslimane është e drejta e saj që ja ka dhënë Allahu xh.sh. Zoti i të gjithë botëve. Është drita e saj që e dallon atë nga errësira e jobesimtarëve. Muhamedi a.s thotë:
“O Zoti im, me të vërtetë unë ngushtohem për të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas”.
Me keqardhje po them se dikush me të vërtetë shkel nderin e gruas; dikush po ua ndalon mbulesën grave dhe bijave të veta; dikush po ua ndalon edhe shkollimin për shkak të mbulesës së tyre. A nuk është kjo shkelje e të drejtave?
Vërtetë jeta e njerëzve që janë lidhur pas iluzioneve digjet si një cigare.
Dibër, 06.03.2021.